VIDEO/ Nuk i pëlqeu pyetja, ish-kryeministri italian tërheq për flokësh gazetaren

Një situatë e paprecedent ka ndodhur në Itali ku ish-kryeministri, Romano Prodi ka tërhequr për flokësh një gazetare, pasi nuk i pëlqeu pyetja e saj.

Incidenti që po diskutohet gjerësisht në rrjet ka ndodhur fundjavën e kaluar. Gazetarja Lavinia Orefici, i kërkoi ish-Presidentit të Komisionit Evropian një koment mbi një pasazh në Manifestin e Ventotenes për bashkimin e Europës, në lidhje me pronën private. Prodi u shfaq i bezdisur nga pyetja dhe në një video të publikuar më vonë në La7, duket kur politikani i tërheq flokët gazetares.

Lavinia Orefici tha se u ndje e poshtëruar si gazetare dhe si grua nga gjesti i papërshtatshëm. “Presidenti Prodi, përveç se u përgjigj me një ton agresiv dhe frikësues, më kapi një tufë flokësh dhe i tërhoqi. Ishte tronditëse për mua”, deklaroi ajo lidhur me incidentin.

Vetë Prodi, deklaroi se kontakti ishte i rastësishëm dhe pa asnjë qëllim ofendues ndaj gazetares Orefici.