VIDEO NGA VENDNGJARJA/ Atentati në Vlorë, viktima Laert Keka emër i njohur për Policinë, 28 fishekë u qëlluan nga “Audi A6”

Një attentat me armë zjarri ndodhi mbrëmjen e djeshme në Vlorë, ku mbeti i vrarë 41 vjeçari Laert Keka, i cili rezulton me emër të ndryshuar (Leartiad Lekaj).

Viktima ka qenë duke udhëtuar me motor në afërsi të Kishës Ortodokose, kur pranë tij është afruar një mjet tip “Audi A6” me targa italiane, nga i cili ka dalë një person i maskuar dhe ka qëlluar me breshëri.

Për pasojë ka mbetur i vdekur në vend 41vjeçari, ndërsa bëhet me dije se në vendngjarje janë gjetur 28 gëzhoja. Laert Keka nuk është një emër i panjohur për Policinë, pasi është marrë i pandehur në vitin 2005 si bashkëpunëtor i Fjodor Mezyrajt, për kryerjen e veprës penale të vjedhjes me pasojë vdekjen.

Policia ka bërë me dije se  në aksin rrugor “Kotë- Sevaster” është gjetur një mjeti tip “Audi” duke u djegur, që dyhsohet të jetë i autorëve. Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.

“Rreth orës 21:50, në lagjen “28-Nëntori”, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi L. K., 41 vjeç. Nga kontrolli i zonës, në aksin rrugor “Kotë- Sevaster”, shërbimet e Policisë kanë konstatuar një automjet tip “Audi”, duke u djegur.

Janë ngritur menjëherë pika kontrolli në hyrje/daljet e qytetit të Vlorës dhe në akset “Vlorë-Fier”, “Vlorë-Tepelenë” dhe “Vlorë-Himarë”. Gjithashtu, shërbimet e Policisë vijojnë krehjen e zonës, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e autorëve. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe në drejtimin e prokurorit, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe për fiksimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njoftoi Policia.