VIDEO – MISTERI/ 5 ditë për të gjetur çantën dhe thikën, zyrtari i Policisë: Autori i vrasjes së Martinit u mjekua fillimisht te Poliklinika Qendrore, pastaj mori taksi me shokun

Vijon të mbushet me të panjohura ngjarja tragjike e vrasjes së 14 vjeçarit Martin Cani, i cili u qëllua me thikë disa ditë më parë nga Mario Përlleshaj.

Por nëse dihet autori, janë hedhur dyshime se ka patur edhe një tjetër bashkëpunëtor, që dyshohet të jetë djali i një hetuesi të BKH-së, por që për Policinë nuk ka patur lidhje me ngjarjen.

Ajo që shton edhe më shumë dyshimet se kemi të bëjmë me një fshehje të së vërtetës janë edhe deklaratat e bëra dje nga zyrtari i Policisë, Erjon Ismaili në emisionin “Opinion”. Ai tha se autori së bashku me një shok kanë shkuar nga vendi i ngjarjes në Poliklinikën Qendrore, ku Mario Përlleshaj ka marrë ndihmën mjekësore.

Por, nëse 14 vjeçari u mjekua për plagë të shkaktuar nga thika, përse nuk u njoftua policia dhe të mos lejohej të largohej?

Sipas Ismailit, pasi ka dalë nga Poliklinika Qendrore, ai së bashku me shokun e tij ka marrë një taksi dhe janë larguar në drejtim të spitalit privat “Hygeia”, ku vijon të jetë i shtruar, edhe pasi është njohru me masën e sigurisë “arrest me burg”. A e ka gjetur Policia taksistin dhe e ka marrë në pyetje?

Lexo edhe: E PLOTË/ Deklarata e babait të Luisit dhe përgënjeshtrimi i menjëhershëm i Policisë, a po tentohet të fshihet autori i dytë?

Ndërkohë, ajo që shton edhe më shumë dyshimet është koha e gjatë që i është dashur Policisë së Shtetit për të gjetur çantën dhe thikën që ka përdorur autori për vrasjen e Martin Canit. Erjon Ismaili u shpreh se sendet e tij janë gjetur 5 ditë pas ngjarjes nga një kalimtar, ku çanta ishte hedhur në disa shkurre dhe thika mbi një banesë 1 katëshe.

Por, si ka mundësi që në një territor aq të vogël nuk mund të gjendet çanta e 14 vjeçarit për 5 ditë me radhë?

Gjithashtu policia thotë se ka patur vetëm një thikë, por përveç thikës që është përdorur për të vrarë Martin Canin, është edhe thika që autori ka përdorur për të bërë foton në taksi. Kush e mbante atë thikë?

Janë të shumta dyshimet që rrethojnë këtë ngjarje, që nga personat pjesëmarrës në sherr, te largimi i autorit dhe fshehja e një bashkëpunëtori të mundshëm. Dyshimet vijojnë të shtohen edhe më shumë pasi mjeku i spitalit “Hygeia” nuk pranon të japë epikrizën e Martin Përlleshaj, për të mos lejuar autoritetet ta transferojnë drejt qelisë.

Më poshtë keni deklaratën e zyrtarit të Policisë në emisionin “Opinion”, gjykimin bëjeni vetë: