VIDEO/ “Karma kthehet si Salianji ose si Vis Martinaj”, Gazment Bardhi letër publike Sokol Ballës: Fillo shqetësohu për fundin e Ramës dhe kujtdo që leh për të

Kreu i Grupit Parlamnetar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar në lidhje me një deklaratë të bërë virale në rrjet të gazetarit Sokol Balla, i cili mbrëmjen e djeshme “këshilloi” Bardhin të mos thellohet në denoncime pasi mund të ketë fatin e Ervin Salianjit, në burg, apo Ervis Martinajt, i zhdukur.

Në letrën publike drejtuar Sokol Ballës, Bardhi thotë se ka vendosur t’i shërbejë interesit publik dhe të thellohet në denoncime, gjithmonë me fakte e prova.

Ai i thotë Ballës të fillojë të shqetësohet seriozisht për fundin e Edi Ramës dhe të kujtdo që leh çdo ditë për llogari të pushtetit të tij.

Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:

LETËR PUBLIKE GAZETARIT DHE DREJTORIT TË ABCNEËS SOKOL BALLA

I dashur Kol Balla,

Familja ime, bashkëpunëtorë dhe miq të mi, më nisën të shqetësuar një video (video më poshtë – pjesë e shkëputur nga editoriali hyrës i emisionit tënd) ku më “këshilloje” që të mos thellohem në denoncime pasi karma të kthehet herë në formën e Vinit (në burg) e herë në formën e Visit (i zhdukur dhe i dyshuar se është vrarë), dhe në çdo rast fundi nuk është i lumtur.

Të falënderoj shumë për “këshillën”, por më lejo të të informoj ty dhe përmes teje Edi Ramën, se unë kam vendosur t’i shërbej interesit publik, pra do të THELLOHEM në denoncime! Por si gjithmonë, me fakte e prova!

Fati i keq i Edi Ramës dhe kujtdo që leh për llogari të pushtetit të tij është që kurrë nuk ka ndodhur që denoncimet e mija me fakte e prova të kenë rezultuar të pavërteta. Propaganda i ka sulmuar për disa ditë, por nuk e ka mbuluar dot kurrë të VËRTETËN!

Prandaj, rri i qetë dhe mos u shqetëso për fundin tim! Ndërkohë, fillo e shqetësohu seriozisht për fundin e Edi Ramës dhe të kujtdo që leh çdo ditë për llogari të pushtetit të tij!