VIDEO/ Kapri takon të rinjtë në Bllokun e Sigurisë, informon familjarët për gjendjen e tyre shëndetësore

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri ka vizituar nga afër shumë prej të rinjve dhe të rejave të mbyllur në qelitë e Bllokut të Sigurisë në kryeqytet, në pritje të daljes para gjykatës për masën e sigurisë.

Deputeti më pas ka informuar edhe familjarët e tyre dhe sipas tij, policia i ka burgosur të rinjtë për t’u bërë presion që të mos marrin pjesë në protestë.

“Në Bllokun e Sigurisë, takova një për një studentët që mbahen aty dhe informova familjarët e tyre, të cilët nuk lejohen t’i takojnë dhe presin me ankth pas dyerve të hekurta. Të rinj të rrahur, kryefamiljarë që mbahen në burg prej 3 ditësh për t’u bërë presion që të mos dalin në protestë. Shumë prej tyre kanë nevojë për ndihmë mjekësore, psikolog, avokat e gjithçka tjetër”, shprehet deputeti i Mundësia.

Deputeti Kapri thekson se disa prej tyre, të dhunuar nga policia kanë pasur nevojë edhe për ndihmë mjekësore, e cila nuk u është ofruar në kohë.

“-Xhonin e kanë goditur, ka të nxira këtu, e ka hundën të nxirë shumë. Këmbëngula unë fort tani dhe po shkon doktori urgjent tani
-Po pse s’i kanë çuar doktor deri tani?
-Ka kërkuar ai për doktor dhe nuk i ka vajtur”, tha Kapri me nënën e të riut.

Nga dëshmitë e mbledhura prej tyre por edhe të afërmve të të rinjve, Kapri shprehet se shumica prej tyre janë shoqëruar nga policia edhe pse nuk kanë bërë asnjë veprim në kundërshtim me ligjin, por thjesht kanë marrë pjesë në protestë apo kanë qenë kalimtarë.

Mes tyre ishte edhe babai i tre fëmijëve dhe një turist italian, të afërmit e të cilëve prisnin pas portës së Bllokut të Sigurisë, për të mësuar për gjendjen e të shoqëruarve.

“-Almiri, babai i tre fëmijëve…më tha që më kanë marrë zvarrë.
-E kanë marrë se kam parë edhe videot
-Që s’kam bërë asnjë gjë tha
-Asgjë s’ka bërë
-Është baba, kryefamiljar me tre fëmijë
-Turp i Zotit

-Po Marko? Marko Benvenuto
-E takova Markon
-Napoletan
-Mirë është? Unë do marr tani urgjent në telefon ambasadorin italian se më tha të lutem bëje këtë gjë
-Ai s’ka bërë asnjë lloj gjëje
-E di, jam turist tha”, ishin disa nga bisedat e deputetit Kapri me të afërmit e të shoqëruarve.

Sipas Kaprit, Partia Mundësia me ekipin e saj ligjor “po dokumentojmë çdo rast dhune dhe autorët do të mbajnë përgjegjësi”.