Me daljen e lajmit të arrestimit të biznesmenit 100 milionë eurosh të sterilizimit, Ilir Rrapaj, u vu re nje detaj që nuk mund të humbiste. Prokuroria Speciale SPAK kërkoi arrestimin e ish nr 2 të ministrisë dhe gjithë komisionit të tenderit 100 milionë euro të sterilizimit, por pa kërkuar gjë për kokat.
Gjyqtari i çështjes i tregoi “dhëmbët” prokurorëve pasi pa dosjen hetimore. Ai urdhëroi SPAK-un që hetimet të thelloheshin tek ish ministrat, ai i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe i Financave Shkëlqim Cani.
“Unë pashë që kishte vepra të tjera penale dhe persona, përfshi edhe dy ish-ministrat dhe e kam orientuar prokurorinë që të hetojë në këtë drejtim,” tha në një bisedë telefonike gjyqtari për BIRN, të nesërmen e lajmit.
Gjyqtari ishte Erion Bani, vetëm 36 vjeç dhe shërben si gjyqtar në Gjykatën Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Me një cv shembullore, me kualifikime, pa asnjë vërejtje në detyre, gjyqtari i ri ka kaluar suksesshëm vetingun e pasurisë. Ai ka kaluar nën duar disa dosje të nxehta të tjera si në rastin e inceneratorëve ku la përfundimisht në burg ish ministrin e Mjedisit Lefter Koka.
Një rast tjetër ishte kur SPAK pushoi hetimet për fshehje pasurie për 7 ish gjyqtarë të lartë, por Erion Bani i kërkoi SPAK-ut të mos e ndërpresë hetimin.
Ky guxim profesional i ka kushtuar edhe sulme në media të ndryshme por gjyqtarin e ri as që e ka tundur.
Mesa duket, Erion Bani është një nga shembujt e mirë të reformës në drejtësi, për të cilën ka kaq shumë shpresë nga shqiptarët se krimi dhe korrupsioni do ndërshkohen në këtë vend.