Venezuela hap industrinë e naftës për kompanitë e huaja, ndërsa Trump kërcënon me tarifa të reja

Parlamenti i Venezuelës ka miratuar një ligj të ri që lehtëson pjesëmarrjen e kompanive të huaja në industrinë e naftës, një hap që synon përmbushjen e kërkesave të presidentit amerikan Donald Trump.

Reforma, e mbështetur nga presidentja në detyrë Delcy Rodríguez, parashikon hapjen e sektorit të naftës, aktualisht i dominuar nga kompania shtetërore PDVSA, duke u dhënë kompanive të huaja mundësinë të menaxhojnë vendburime nafte me rrezikun dhe shpenzimet e tyre.

Vendimi vjen në një kohë kur Trump ka kërcënuar me vendosjen e tarifave shtesë ndaj vendeve që furnizojnë Kubën me naftë, duke e cilësuar këtë çështje si emergjencë të sigurisë kombëtare për SHBA-në.

Rodríguez deklaroi se ligji i ri do t’i mundësojë Venezuelës të shfrytëzojë maksimalisht rezervat e saj të mëdha të naftës – më të mëdhatë në botë. “Ky ligj na lejon të bëjmë një hap historik për ta kthyer këtë pasuri në mirëqenie për popullin venezuelian,” tha ajo.

Edhe kreu i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodríguez, vëllai i presidentes në detyrë, u shpreh se reforma do të nxisë prodhimin e naftës dhe zhvillimin e fushave ende të pashfrytëzuara.

Ligji u miratua unanimisht në lexim të dytë dhe pritet të hyjë në fuqi pas nënshkrimit dhe publikimit zyrtar.

Në të njëjtën ditë, administrata Trump njoftoi lehtësimin e disa sanksioneve ndaj industrisë së naftës në Venezuelë, duke autorizuar kompani amerikane të kryejnë aktivitete të caktuara tregtare me qeverinë venezueliane.

Megjithatë, disa drejtues të mëdhenj të industrisë së naftës mbeten skeptikë. Shefi ekzekutiv i Exxon Mobil ka deklaruar më herët se Venezuela është “e painvestueshme” në gjendjen aktuale.