Konfindustria ka shprehur mbështetjen për vendimin e qeverisë shqiptare për vendosjen e çmimeve tavan në tregun e karburanteve, por thekson se ai ka ardhur me vonesë në kushtet e krizës së jashtëzakonshme globale.
Konfindustria i bën thirrje qeverisë që, përveç masave aktuale, të ndërmarrë edhe një paketë reformash të shpejta:
Uljen e barrës fiskale mbi karburantet dhe taksat vjetore të automjeteve, duke i afruar me mesataren e vendeve të rajonit
Krijimin e një Enti Rregullator të Karburanteve si institucion i përhershëm mbikëqyrës
Rishikimin e strukturës së tregut, ku evidentohen elementë të kartelit dhe oligopolit në porte, tregtinë me shumicë dhe pakicë
Ndërtimin e një rafinerie për përpunimin e naftës vendase, me synimin për të mbuluar të paktën 30% të nevojave vjetore të vendit
Sipas saj, vendet e rajonit dhe më gjerë kanë ndërmarrë masa të menjëhershme për të zbutur pasojat e krizave ndërkombëtare që kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të karburanteve.
Reagimi i plotë:
Konfindustria mbështet vendimin e ekzekutivit nëpërmjet Bordit të Trasparencës për vendosjen e çmimeve tavan të karburanteve në tregëtinë me shumicë dhe pakicë. Sa më sipër përbën ndërhyrjen e parë dhe mjaft të vonuar të qeverisë shqiptare në tregun e karburanteve në kushtet e jashtëzakonshme të krizës. Të gjitha shtete e rajonit dhe më gjerë kanë marrë masa të menjëhershme për zbutjen e pasojave të luftës së Gjirit Persik. Çmimet e vendosura të produkteve të karburanteve janë mbi 8% më të ulta, që tregon qartësisht për hapsirat e gjera të spekullimeve nga operatorët e tregut dhe domosdoshmërinë e ndjekjes së vazhdueshme të mbikqyrjes së tregut strategjik të karburanteve. Konfindustria i kërkon qeverisë shqiptare, që në të njejtën kohë me mbikqyrjen nëpërmjet Bordit të Trasparencës për parandalimin e spekullimeve në tregun e karburanteve në kushtet e sotme të jashtëzakonshme botërore, të vlerësojë me shpejtësi si më poshtë:
1- Uljen e përgjithshme të barrës fiskale mbi karburantet dhe taksat vjetore të makinave deri në nivelet të mesatares së shteteve të rajonit
2- Krijimin e Entit Rregullator të Karburanteve si institucion i përhershëm mbikqyrës
3- Rishikimin e ndërtimit të sotëm në dretimin vertikal dhe horizontal të tregut të karburanteve me shfaqje të qarta të tipit kartel dhe oligopol në porte, tregëti me shumicë dhe pakicë
4- Ndërtimin e rafinerisë për të përpunuar naftën shqiptare për të plotësuar të paktën 30% të nevojave vjetore të vendit.