Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka vendosur që të mos i ndërpresë mandatin kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdarit, i cili nuk kishte deklaruar në formularin e vetëdeklarimit se kishte qenë i dënuar në Greqi me 4 muaj burg me vendim të formës së prerë.
Në mbledhjen e zhvilluar sot në KQZ, kryetari Ilirjan Celibashi u shpreh se kandidatët nuk kanë detyrim të përmendin rrethana që nuk u ndalojnë marrjen e detyrës.
“Nuk ka detyrim subjekti vetëdeklarues për të paraqitur në formularin e vetëdeklarimit rrethana që nuk e ndalojnë atë të marrë detyrën në zyrë. Një precedent ka patur edhe me deputetin Zef Hila, që të gjitha pyetjeve iu përgjigj me “jo”, pasi ato rrethana nuk e pengonin të kandidonte për deputet.
Në vlerësimin tim qëndron bindja që një subjekt që do të marrë një detyrë publike, nuk ka detyrimin që të plotësojë të dhënat që nuk përbëjnë shkak për të mos kandiduar. Besoj se nuk ka një shkak ligjor që kryetarit të Bashkisë Kuçovë t’i ndërpritet mandati. Kundër këtij vendimi keni mundësi ankimimi 30 ditë në KAS”, tha Celibashi ndër të tjera.
Pas këtij vendimi, ka ardhur edhe reagimi i Lefter Maliqit, kandidatit për Bahskinë Kuçovë në zgjedhjet e 14 Majit, i cili tha se ky ishte një skandal, si dhe hodhi dyshime se Celibashi mund të ishte paguar për të marrë këtë vendim.
“Është një turp dhe një skandal. Nëse ka marrë para, do dalë një ditë. Kjo që bën ky këtu bashkë me këta, është turpi më i madh i Shqipërisë. Diktaturë e pastër”, tha Maliqi në sallë.