Ish kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas vendimit të gjykatës serbe për të liruar tre policët e Kosovës. Berisha thotë se ky vendim është në fakt vendim politik.
Sipas Berishës duhet të ndëshkohen organizatorët dhe ekzekutorët e këtij veprimi.
Me këtë rast ai falënderoi qeverinë e SHBA-së, BE-në, NATO-n dhe kryeministrin e Hungrisë, Viktor Orban të cilët kërkuan lirimin pa kushte dhe të menjëhershëm të policëve.
Deklarata e plotë:
Një akt i paprecedentë që nga vitet ’50 gjer sot, pra i pa precedentë dhe në kohët e Ballkanit të diktaturave komuniste, siç ishte rrëmbimi në territorin e Kosovës, i tre anëtarëve të Policisë së Kosovës, u zgjidh.
Tre anëtarët e Policisë së Kosovës, me një vendim politik të urdhëruar Gjykata e Kralevës i liroi ata. Me këtë rast, dua të falënderoj shumë, qeverinë e SHBA-së, BE-në, NATO-n dhe kryeministrin e Hungrisë, Viktor Orban të cilët kërkuan lirimin pa kushte dhe të menjëhershëm të policëve shqiptarë të Kosovës.
Sigurisht që lirimi i tyre, ishte një vendim në drejtimin e duhur, por zbardhja e të vërtetës, mbi këtë akt dhe ndëshkimi i organizatorëve dhe ekzekutorëve të këtij akti, të pashembullt them dhe njëherë, nga vitet ’50 gjer sot, është i domosdoshëm në mënyrë që histori të tilla, të mos mund të përsëriten më.
Nga ana tjetër, unë u bëj thirrje autoriteteve të Kosovës, duke mbështetur plotësisht të drejtën e tyre për vendosjen e ligjit, të rendit dhe të sigurisë në të gjithë territorin e tyre, të bëjnë çdo përpjekje për ç’përshkallëzimin dhe shtensionimin e situatës, rikthimin tek dialogu dhe marrëveshja e Ohrit.
Çdo shqiptar duhet ta ketë të qartë, se marrëveshja, natyrisht e mirë është interesi më i madh i Kosovës, dhe kombit shqiptar. Marrëveshja nuk i intereson Aleksandër Vuçiç, nuk intereson Serbisë. Ndaj dhe në këtë kuadër, përpjekjet e mëdha, të muajve të fundit, japin shpresë se mbi bazën e dokumentit të Ohrit, apo planit franko-gjerman, të arrihet me vullnet një marrëveshje e cila ka si objektiv normalizmin e marrëdhënieve dhe më vonë, njohjen reciproke.