Një operacion i SPAK goditi dje një organizatë kriminale në Elbasan, e cila drejtohej nga Suel Çela, ku u dhanë 21 masa sigurie, 18 prej të cilave “arrest me burg”.
Pjesëtarë të grupit të Suel Çelës janë edhe Xhino e Marsel Roka, të cilët rezultojnë të jenë vëllezërit e drejtoreshës së Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Adelajda Rokës.
Kjo e fundit u emërua nga Rama në një nga institucionet më të rëndësishme në vend në Nëntor të vitit të kaluar, teksa vëllezërit e saj nuk ishin emra të panjohur për drejtësinë.
Emrat e tyre kishin dalë në dëshmitë e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumanit, i cili kishte treguar se Florenc Çapja do të paguante 300 mijë euro për vrasjen e dy vëllezërve, pasi i konsideronte si njerëz të afërm të kundërshtarit të tij, Suel Çela.
Kryeministri Rama dhe ministri Taulant Balla janë akuzuar shpeshherë për lidhje me krimin e organizuar në Elbasan dhe konkretisht me Suel Çelën, teksa nuk dihet nëse emërimi i Adelajda Rokës në krye të AZHT-së ka lidhje me akuzat e opozitës.