Arbër Veliaj , vëllai i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, është paraqitur sot në ambientet e SPAK-ut. Mësohet se ai do të merret në pyetje nga prokurorët si person që ka dijeni për hetimet që po zhvillohen ndaj kryebashkiakut Veliaj, i arrestuar në shkurt të këtij viti me urdhër të SPAK.
Pak muaj para arrestimit të Erion Veliajt, me urdhër të SPAK u kryen kontrolle në bizneset dhe shetëpinë e Arbër Veliajt. Por është herë e parë që si paraqitet në SPAK, që pas arrestimit të kryebashkiakut Veliaj.
Ky i fundit u mor zyrtarisht i pandehur pak javë më parë nën akuzat për korrupsion, deklarim të rremë të pasurisë dhe pastrim parash.
Erion Veliaj mbahet në paraburgim që prej 10 shkurtit të këtij viti. Ai po hetohet bashkë me bashkëshorten Ajola Xoxa dhe 6 biznesmenë, njëri prej tyre, Elman Abule, i cili mbahet në masën e sigurisë të arrestit në shtëpi.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij përfituan qindra mijëra euro ryshfet nga fondet e Bashkisë apo kompani kontraktore – përfitime të paligjshme që u injektuan dhe ‘pastruan’ nëpërmjet një rrjeti OJF-sh dhe kompanish të kontrolluara nga Xoxa.