Në Partinë Socialiste janë trazuar ujërat. Kryebashkiaku i burgosur, Erion Veliaj nga qelia e paraburgimit të Durrësit ka firmosur emërimin e kryetares së re të Bashkisë dhe ka shfuqizuar urdhrin e parë, që komandonte Anuela Ristanin në krye të Bashkisë më të madhe në vend. Në një lëvizje sa të papritur dhe të dyshimtë, Erion Veliaj ka vendosur për t’ia deleguar detyrën të besuarës së tij, Sara Goxhaj,
Ky vendim tregon për një krisje të marrëdhënieve mes kryebashkiakut dhe kryeministrit Edi Rama, i cili fill pas arrestimit të Erion Veliajt, shkoi disa herë në Bashkinë e Tiranës. Madje vendimi për të komanduar Anuela Ristanin në krye të Bashkisë, u mor në prani të Edi Ramës.
Duhet thënë se ky vendim vjen pasi kryeministri Edi Rama urdhëroi deputetët e Partisë Socialistë që të mos ta mbronin publikisht më Veliaj, i cili akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash. Urdhri që mesa duket ka krisur marrëdhënien mes tyre, erdhi pas deklaratave të deputetit Etjen Xhafaj, i cili kritikoi punën e SPAK.
Por Prokuroria e Posaçme u sulmua edhe nga vetë kryeministri, në ditët e para pas arrestimit të Veliaj, por ai zbuti gjuhën më pas, duke vlerësuar edhe kreun e SPAK, Altin Dumani si një prokuror me virtyte.
Por jo vetëm kaq. Pak ditë pasi Apeli i GJKKO la në burg Erion Veliajn, ky i fundit e ka kuptuar tashmë se ditët në qeli do të jenë të gjata. Vetë Veliaj në një reagim pas këtij vendimi, tha se nuk ishte aspak surprizë, por ndoshta surprizën e hidhur ia bëri eprori i tij, duke e lënë vetëm në luftën me drejtësinë.
Edi Rama kishte deklaruar edhe më herët se se kjo luftë eshtë e Veliajt dhe jo e tij dhe e Partisë Socialiste.
Megjithatë ajo që vlen të theksohet është se ky vendim i Erion Veliajt të bën të mendosh për një përplasje mes tij dhe Ramës. Një përplasje që nuk i dihet sa i shërben PS, teksa 2 muaj na ndajnë nga zgjedhjet e 11 Majit.
Erion Veliaj akuzohet për veprat penale “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim parash”, të kryer në bashkëpunim me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, e cila po hetohet në masë detyrim paraqitje, edhe për mosdeklarim pasurie.