Veliaj kërkon lirinë, ofron garanci pasurore për të dalë nga burgu

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar me ankimim Apeli i Posaçëm kundër vendimit të Shkallës së Parë për vijimin e arrestit në burg ndaj tij.

Ndërkohë seanca ndaj ankimimit të Veliaj do të zhvillohet më datë 24 shkurt.

Veliaj kërkon një masë më të butë sigurie, qoftë edhe në këmbim të një garancie pasurore.

Një vit pas arrestimit të tij me urdhër të SPAK, GJKKO ka kaluar për gjykim dosjen nga kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa dhe të pandehurve të tjerë.

Sipas SPAK, Veliaj akuzohet për korrupsion në 9 raste e kryer në bashkëpunim, pastrim parash, fshehje pasurie, futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara dhe shpërdorim detyre.

SPAK ka zbardhur skemën korruptive që kryebashkiaku kishte ngritur së bashku me bashkëshorten e tij që ka synuar dhe bërë të mundur në praktikë marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të kryebashkiakut dhe familjes së tij përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.