Është kthyer në atdhe zemra e Saimir Sulës, i riu i cili ndërroi jetë në mënyrë misterioze në një spital në Barcelonë, gjatë periudhës së pandemisë.
Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Drejtësisë, e cila me anë të një deklarate, njofton se procedura për kthimin e organit ka përfunduar me sukses.
Saimir Sula shkoi në spital në Barcelonë me simptoma të Covidit, por tamponi i doli negativ. Ai kishte lajmëruar të motrën në telefon të shkonte ta merrte pasi “po e vdisnin”, ndërkohë që kur ajo shkoi e njoftuan se i riu kishte ndërruar jetë.
Spitali nxitoi procedurat për të djegur trupin por familja kërkoi që ai të kthehej në atdhe. Kur erdhi në Shqipëri ata i bënë një autopsi tjetër, ku u zbulua se atij u mungonte zemra.
Që prej asaj kohe, familja dhe veçanërisht motra e tij Majlinda, kanë bërë një luftë të vërtetë për të gjetur organin që pritet të zbulojë edhe shkakun e vdekjes.
“Më datë 12 korrik 2023 një grup përfaqësuesish nga Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Tiranës, Prokuroria e Përgjithshme, Instituti i Mjekësisë Ligjore, përfaqësuesi i Ambasadës Shqiptare në Madrid, kanë marrë në dorëzim nga pala spanjolle, organin (zemrën) e të ndjerit Saimir Sula dhe kanë përfunduar të gjithë procedurën e nevojshme sipas standardeve të parashikuara në aktet ndërkombëtare dhe legjislacionin procedurial – penal të të dy vendeve.
Transporti për në Shqipëri është kryer konform procedurës së përcaktuar dhe për transportin e zemrës janë përdorur mjetet e fundit teknologjike për procedura të tilla me vështirësi teknike.
Ministria e Drejtësisë ka qenë në koordinim të vazhdueshëm me autoritetet spanjolle, por vetëm në maj 2023 u mor vendimi nga Gjykata 16 e Barcelonës për lejimin e riatdhesimit të organit (zemrës). Prokuroria e Tiranës në kohë rekord nga momenti i njoftimit të këtij vendimi në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme morën masat për realizimin e procedurës së riatdhesimit të zemrës. Prokurori i çështjes, njëkohësisht, në përmmbushje të detyrimeve ligjore njoftoi familjarët për praninë gjatë procesit të riatdhësimit.
Duke marrë në konsideratë ndjeshmërinë publike të këtij rasti, Ministria e Drejtësisë ka qenë në koordinim të vazhdueshëm me autoritetet spanjolle për të garantuar riatdhesimin e organit (zemrës). Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë ka informuar vazhdimisht në mënyrë transparente familjarët, konform kufizimeve ligjore, sekretit hetimor, në kushtet ku çështja është në proces nga Prokuroria e Tiranës.
Ne e mirëkuptojmë emocionalitetin dhe dhimbjen e familjarëve dhe në rastin konkret MD vetëm lehtëson procesin në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.
Ministria e Drejtësisë ka kryer detyrën e saj në këtë proces si autoritet qendror, me transparencë të plotë, ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe humanizmi. Nga ky moment i takon Prokurorisë së Tiranës dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore, të kryejnë të gjitha veprimet hetimore të mëtejshme.
Gjejmë rastin të falenderojmë edhe autoritetet e drejtësisë spanjolle, të cilët kanë përshpejtuar dhe mbështetur deri në realizimin me sukses të riatdhetësimit të organit (zemrës) të të ndjerit Saimir Sula”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Ministrisë.