24 orët e fundit kanë qenë kritike për vendin për shkak të zjarreve ndërsa dje në Gramsh u regjistrua viktima e parë nga zjarret. Teksa në Delvinë situata u vu në kontroll në orët e para të kësaj të mërkure, në Gramsh zjarret kanë djegur 33 banesa.
Sipas raportimeve, situata është më e vështirë në fshatin Menkollar, ku janë tre zjarrfikëse të shoqëruara me forca të shumta të ushtrisë, të zjarrfikësve, vullnetarë e banorë të shumtë të zonës.
Njëkohësisht në zonë janë edhe dy helikopterë që hedhin ujë vazhdimisht për të parandaluar përhapjen e flakëve për në fshatin Nartë.
Disa fshatra të Gramshit vijojnë të jënë nën pushtetin e flakëve, duke e kthyer të gjithë zonën në një zonë lufte.
Mbrëmjen e kaluar situata u përkeqësua në Bashkinë Delvinë, pasi zjarri mbërriti pranë qytetit. Flakët i janë afruar spitalit dhe për arsye sigurie, autoritetet urdhëruan largimin e pacientëve dhe stafit.
Zjarri rrezikoi gjithashtu puset dhe disa depozita nafte që ndodhen në kodrat pranë Delvinës.