Ushtria europiane: Një ide e shkëlqyer apo thjesht një dublim i NATO-s?

Nga Stavros Atlamazoglou “National Interest”


Pushtimi rus i Ukrainës, ka rikthyer në plan të parë çështjen e mbrojtjes së përbashkët evropiane. Konflikti në Ukrainë, e ka ndryshuar planifikimin strategjik evropian në fushën e mbrojtjes. Tek e fundit, ky është konflikti më i madh në territorin evropian që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.


Agresioni i paprecedentë i Rusisë gjatë viteve të fundit, ka përhapur jo pak frikë dhe shqetësim në kryeqytetet evropiane. Konceptet e paqes dhe sigurisë, që dukeshin kaq të sigurta për 3 dekada, u zhdukën që në momentin kur tanket e para ruse mësynë në Ukrainë. Sigurisht, NATO është aty për të mbrojtur dhe frenuar ndërhyrjet e mëtejshme ruse në Perëndim.


Por siç argumentojnë shumë ekspertë, analistë dhe zyrtarë rreth qendrave vendimmarrëse në kontinentin e vjetër, kohët po ndryshojnë dhe Shtetet e Bashkuara mund të shpërqendrohen në të ardhmen mbi problemet e veta të brendshme apo edhe tek një konflikt me Kinën shumë më larg Evropës, në rajonin e Indo-Paqësorit.


Një ushtri e përbashkët evropiane


Ideja e një ushtrie të përbashkët evropiane, është hedhur prej kohësh në qendrat kryesore të pushtetit në Evropë. Sipas asaj që është thënë, kjo do të ishte një organizatë e ndarë nga NATO, dhe do të jepte llogari vetëm para Bashkimit Evropian. Aktualisht, ekziston Politika e Përbashkët e Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP) e Bashkimit Evropian, e cila është një version shumë i lehtë i një unioni në fushën e mbrojtjes, por pa asnjë “dhëmb” të vërtetë. Megjithatë për disa arsye, deri më sot ka dështuar çdo lloj përpjekje për të ngritur një forcë të përbashkët ushtarake evropiane.


Një pengesë e madhe është vetë natyra e Bashkimit Evropian. Me 27 shtete anëtare, dhe me rreth 450 milionë banorë, Bashkimi Evropian është një “Kullë Babeli” e kohëve moderne. Në të ndërthuren shumë interesa, ide, bindje dhe besime, dhe ato përplasen pothuajse çdo ditë me njëra-tjetrën. Arritja e një konsensusi mbi një vendim politik shumë të rëndësishëm siç është ndërtimi i një force të përbashkët ushtarake, nuk duket e mundshme në një kohë të afërt. Madje as pas një ngjarje gjeopolitike madhore siç është pushtimi i Ukrainës nga Rusia.


Një pengesë tjetër e madhe për krijimin e një force të përbashkët evropiane, ka të bëjë me komandën dhe kontrollin. E përbërë nga forca që vijnë nga shumë vende të kontinentit, një forcë e përbashkët evropiane, do të haste jo pak vështirësi që të operonte me efektivitet në fushën e betejës apo në kundërpërgjigje ndaj rasteve të paparashikuara.


Siç e ka treguar lufta në Ukrainë – sidomos kur flitet për ndihmën në fushën e sigurisë për vendin e goditur – ka tronditur shumë pikëpamje të ndryshme midis qendrave të fuqisë evropiane. Dhe një mosfunksionim i tillë në operacionet ushtarake, do të ishte katastrofik në kushte lufte. Por le ta marrim si shembull, se do të ekzistonte një forcë e tillë e përbashkët, dhe befas ka një emergjencë diku në Evropë. Por Franca dhe Gjermania nuk bien dot dakord mbi dërgimin apo jo të forcës së përbashkët ushtarake. Ndërkohë emergjenca del jashtë kontrollit.

Pra problemi me këtë strukturë do të ishte më se i dukshëm. Për shumë njerëz në Evropë, një mbrojtje e përbashkët, është një hap shumë i vonuar. Ndërsa Bashkimi Evropian po bëhet më i fortë individualisht dhe kolektivisht, ai kërkon të ketë një zë me më shumë peshë në skenën globale.


Por është e dyshimtë nëse kjo gjë mund të arrihet përmes një force të përbashkët ushtarake. Suksesi i Bashkimit Evropian është kryesisht ekonomik. Monedha e përbashkët, zona e tregtisë së lirë dhe kufijtë e hapur ndërmjet shteteve anëtare, nxisin rritjen ekonomike dhe zhvillimin. Ndaj është një qasje zgjuar, që t’i përmbahemi strukturës aktuale dhe të mos përpiqemi të dublojmë NATO-n.