Urdhri për lirimin e hapësirave publike/ Bizneset në Korçë ndërpresin shërbimin për 2 orë: Të shtyhet afati deri në fund të sezonit

Kjo e enjte, 31 korrik, është afati i fundit që bizneset të lirojnë hapësirat publike. Ky afat u bë publik edhe një ditë më parë nga kryeministri Edi Rama, i cili paralajmëroi bizneset që të lironin hapësirat pranë akseve kombëtare, ose në të kundërt do të penalizoheshin.

Ndërkohë sot një pjesë e bizneseve në pedonalen e qytetit të Korçës nuk kanë ofruar shërbim ndaj klientëve për dy orë.

Pronarët e këtyre bizneseve kanë kërkuar shtyrjen e afatit të prishjes së strukturave metalike të biznesit të tyre, pasi sipas tyre, gjatë kësaj periudhe fluksi i turistëve pritet të jetë më i madh.

Ata kanë lënë edhe disa mesazhe në bizneset e tyre si: “Nuk jemi zaptues, por taksapagues – duam dëmshpërblim!”

 “Pse njoftohemi vetëm 4 ditë para dhe në mes të sezonit?”

“Kërkojmë shtyrje të afatit deri në fund të sezonit turistik.”

Nga ana tjetër, kryetari i bashkisë Korçë Sotiraq Filo është takuar dje me pronarët e biznesve në zonën e pedonales dhe tha se u ka dhënë afat bizneseve deri më 17 gusht për lirimin e hapësirave të zaptuara. Por bizneset kërkojnë më shumë kohë, të paktën deri në përfundim te sezonit.