Urdhri i Ramës vë në lëvizje të majtët/ Këshilltarët bashkiakë mblidhen të mërkurën në PS, në fokus shkarkimi i Erion Veliajt

Anëtarët socialistë të Këshillit Bashkiak të Tiranës pritet të zhvillojnë një mbledhje të rëndësishme të mërkurën (17 shtator), ku ndër temat kryesore, që do diskutohen është dhe shkarkimi i kryebashkiakut Erion Veliaj.

Mediat raportojn% se mbledhgja do të zhvillohet në orën 17:00, në selinë e Partisë Socialiste. Ajo është thirrur pas zhvillimeve të fundit politike dhe gjyqësore që përfshijnë kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dosja e të cilit është dërguar në Gjykatën e Posaçme.

Ai ndodhet nën masën e sigurisë “arrest me burg” që prej 10 shkurtit 2025.

Diskutimi për shkarkimin e tij vjen vetëm pak ditë pas mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste, ku kryeministri Edi Rama iu drejtua anëtarëve të PS-së me një thirrje të drejtpërdrejtë për largimin e Veliajt nga detyra.

Madje Rama caktoi dhe kandidatin e PS, për zgjedhjet që pritet të mbahen në Bashkinë e Tiranës.

“Tirana ka punë të mëdha dhe të panumërta për ditë e për natë. Nuk i heq asnjë meritë kryetares në detyrë për sa ka bërë në këto 7 muaj, e falënderoj për përkushtimin. Por sot ne duhet të marrim një vendim politik, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve për kryetarin e bashkisë në Tiranë. Mendoj se Ogerta Manastirliu është njeriu i duhur për drejtimin e Bashkisë Tiranë”, theksoi Rama.

Nëse Këshilli Bashkiak do të ndjekë linjën e mazhorancës, pritet që pas mbledhjes të iniciohet formalisht procedura për shkarkimin e tij.

Kryetari i Bashkisë së Tiranë akuzohet për veprat penale korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.

Shumica e akuzave është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.