Përballë sulmeve të përditshme me dronë kamikazë nga Rusia dhe mungesës së sistemeve të mjaftueshme të mbrojtjes ajrore nga aleatët perëndimorë, Ukraina po zhvillon teknologji të reja të mbrojtjes, dronë ndërprerës të specializuar për rrëzimin e Shahed-ëve iranianë.
Vetëm gjatë muajit korrik, mbi 6,000 dronë Shahed janë lëshuar drejt Ukrainës nga Rusia, duke shkaktuar presion të madh mbi rezervat dhe sistemet ekzistuese të mbrojtjes ajrore. Përballë kostove të larta të raketave mbrojtëse si Patriot apo IRIS-T, që kapin shifra nga qindra mijëra deri në miliona euro për raketë, Ukraina ka zgjedhur një zgjidhje më të përballueshme: ndërtimin e dronëve të cilët kushtojnë nga 1,000 deri në 5,000 dollarë për njësi.
Këta dronë janë të pajisur me sisteme komunikimi digjitale dhe janë të aftë të ngjiten në lartësi të mëdha, duke arritur shpejtësi deri në 330 km/h, të mjaftueshme për të ndjekur dhe neutralizuar Shahed-ët, të cilët fluturojnë me rreth 200 km/h. Dronët ndërprerës drejtohen nga pilotë dhe funksionojnë si armë të lëvizshme ajrore, të cilat ose përplasen me objektivin, ose e neutralizojnë atë nga afër.
Ukraina ka ngritur tashmë një industri të gjerë të prodhimit të dronëve dhe po rrit kapacitetet për prodhimin në masë të dronëve ndërprerës. Synimi është të prodhohen deri në 1,000 njësi në ditë, por aktualisht buxheti i ndarë për këtë qëllim është shumë më i ulët se kërkesat reale. Ndërkohë, organizatat vullnetare kanë qenë ndër të parat që kanë furnizuar ushtrinë me këta dronë.