Elizabeth Gowing është një shtetase angleze, e cila jeton në Kosovë që prej vitit 2006. Çfarë nisi si një udhëtim gjashtë mujor pune, u kthye në jetën e re të Elizabeth, e cila tashmë ka marrë edhe shtetësinë kosovare.
Ajo vjen në një rrëfim ekskluziv për Media “Ditari”, mbi jetën në Kosovë, dashurinë për popullin shqiptar, shkrimet për mediat ndërkombëtare si BBC, punën në organizata vullnetare dhe pozicionin si Këshilltare e Kryeministrit Albin Kurti.
Intervistoi: Ema Meçaj
1-Faleminderit që e pranuat ftesën për këtë intervistë. Elizabeth, ju jeni me origjinë angleze, por që prej vitit 2006 jetoni në Kosovë. Cilat janë arsyet dhe historia që fshihet pas vendimit për t’u zhvendosur?
Në vitin 2006, unë dhe burri, Robert Wilton, kemi qenë gati per të provuar një jetë ndryshe. Kemi menduar të shkojmë si vullnetarë për një vit në një vend të huaj dhe kemi aplikuar për pozitë në Afrikë. Ndërkohë, Robertit i është ofruar një punë në Kosovë dhe mbasi ishte vetëm për gjashtë muaj, kam pranuar që të shkojmë bashkë, me supozimin që pas gjashtë muajve, të mundemi të vazhdojmë me aplikimin për në Afrikë. Ato gjashtë muaj kanë zgjatur pakëz…
2-Sa të vështirë e patët tranzicionin dhe përshtatjen me një kulturë të re?
E dimë të gjithë sa e fortë është tradita e mikpritjes këtu dhe kjo patjetër ka ndikuar pozitivisht në përshtatjen me jetën tonë të re. Ka qenë e lehtë për të krijuar shoqëri të re. Por patjetër që ka gjëra në Kosovë, që janë ndryshe prej çfarë ishim mësuar në Angli dhe na është dashur të mësohemi me mënyra të reja të jetesës. Ndoshta kryesorja mes tyre ka qenë spontaniteti i kulturës në Kosovë. Mbaj mend kur një shoqe e re, më ka thirrur në telefon dhe më ka pyetur nëse isha e lirë për të pirë kafe. Si londineze, menjëherë e kam hapur fletoren ku shënohet agjenda ime dhe kam kontrolluar për ditët në vijim. “Mundem të enjten rreth orës 15,” – i kam propozuar. “Ose javën e ardhshme, të martën në mëngjes?”. Ajo më është përgjigjur: “Jo, jo, e kam fjalën për sot, për tani. A je e lirë për të pirë kafe tani?”. Kam mësuar që patjetër ka përparësi në këtë stil të jetesës, por ende nuk funksionoj 100% kështu, sepse kam deshirë t’i planifikoj gjërat paraprakisht.
3- Ju shkruani dhe komunikoni në shqip mjaft rrjedhshëm, ndaj jam kurioze të di, si e mësuat gjuhën shqipe?
I jam shumë mirënjohëse mësuesit tim, Gazi Berlajolli, me të cilin kam patur mësim dy herë në javë për disa vite. Por gjithashtu kam patur si ‘mësues’ të gjithë njerëzit me të cilët jam takuar dhe durimin e punëtorëve në lokalet ku kam blerë harxh, ose kolegët prej te cilëve kam mësuar fjalor të ri dhe inkurajimin prej shoqeve kur kam provuar të përdor fjalimet e para. Këto kanë ndikuar shumë në guximin tim për të folur shqip dhe në dashurinë time ndaj gjuhës.
4- Studimet i keni kryer në Kolegjin “Magdalen” në Oxford dhe jeni trajnuar në mësuesi, duke punuar për disa vite në Hackney, Lambeth dhe Islington, përpara se të zhvendoseshit në Kosovë. Kur ktheheni pas në kohë, si e kujtoni atë periudhë të jetës suaj?
Mendoj që përgatitja si mësuese është një përgatitje e mirë për gjithçka. Njeriu mëson për një komunikim sa më të qartë, mëson si të motivojë njerëzit, si të menaxhojë një ekip. Gjithashtu ke mundësi, sidomos në shkollën ku kam punuar si zëvendës drejtoreshë në Hackney, ku kanë 23 gjuhë amtare të përfaqësuara mes nxënësve, të takohesh me familje prej të gjithë botës, të kuptosh dallimet kulturore dhe të mësosh prej traditave të ndryshme. Është punë jetike, nëse je e përkushtuar ndaj drejtësisë sociale. Është edhe falë kësaj shkolle, ku kam punuar në vitin 1999, takimi im i parë me kosovarët. Kanë ardhur në Londër si refugjatë nga lufta dhe në bisedë me ta, kam mësuar fjalët e para shqipe.
5- Një pasion i juaji është të shkruarit. Ndër vite, keni shkruajtur artikuj për media prestigjoze si BBC, The Independent dhe The Guardian, ku keni promovuar Shqipërinë dhe Kosovën, duke i sjellë publikut ndërkombëtar disa copëza realiteti shqiptar. Pse pikërisht kjo zgjedhje? Çfarë ju mban kaq të lidhur emocionalisht me popullin shqiptar?
Nëse udhëton në vende të bukura, nëse takohesh me njerëz të mirë, atëherë kuptohet që ke dëshirë për t’i ndarë këto përvoja me njerëz të tjerë. Edhe më shumë kur e di që njerëzit e tjerë nuk kanë njohuri, ose kanë informata të gabuara për vendet ku ke udhëtuar. Mendoj që një kontribut që mundem unë të bëj si shpagim për mikpritjen që kam përjetuar në Kosovë dhe Shqipëri, është promovimi i vendeve në menyrë që të tjerët të vijnë dhe të harxhojnë para si investim në këto vende.
6- Për shkrimet tuaja jeni vlerësuar dhe keni fituar disa çmime. Sipas jush, çfarë elementesh e bëjnë një histori të mirë dhe bindëse për t’u lexuar?
Mendoj që është me rëndësi të gjesh gjërat që bashkojnë njerëz. Sidomos kur kam shkruajtur për komunitetet e varfra siç janë romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët, ka mundësi që jetët e tyre të mund të duken tepër larg jetës së lexuesve në Angli. Por nëse shkruaj për dashurinë që prindërit kanë ndaj fëmijëve të tyre, ose dëshira që ka një i ri për të arritur një jetë më të mirë, këto gjëra, të gjithë mund t’i kuptojmë.
7- Keni shkruar disa libra për Kosovën dhe Shqipërinë, njëri prej të cilëve titullohet “Edith dhe unë: Në gjurmët e një udhëtari Edwardian në Kosovë”. 100 vite pas udhëtimit të Edith Durham, ju keni ndjekur hapat e udhëtimit të saj në Kosovë, veçse ky do të ishte udhëtimi i Elizabeth. Çfarë zbuluat gjatë shkrimit të librit?
Më ka thelluar dhe më shumë respektin që kam për Edith Durham dhe arritjet e saj, sidomos si grua në një kohë kur gratë angleze nuk kanë patur shumë liri. Guximin për të udhëtuar vetë në vendet e panjohura dhe me qenë mendjehapur ndaj njerëzve dhe kulturave që ka hasur në udhëtime, e gjej shumë inspiruese. Gjithashtu fakti që ajo ka filluar udhëtimet dhe shkrimet e saj në moshën 37 vjeçare, relativisht vonë, e që ka kombinuar punën e saj humanitare dhe antropologjike edhe me përkujdesjen ndaj nënës në Londër. Më vjen keq sa e panjohur ajo vazhdon të jetë në Angli, përkundër shkollave (në Tiranë, në Suharekë) dhe rrugëve (në Tiranë, Durrës, Prishtinë, Ulqin, Fushë Kosovë, Korçë, Shkodër, Istog, Pejë, Prizren, Gjilan) që mbajnë emrin e saj në Ballkan.
8- Njerëzit të njohin në shumë dimensione: si mësuese, si shkrimtare, por kryesisht nga puna jote me organizata jofitimprurëse, pasi ke themeluar “The Ideas Partnership”, një organizatë bamirësie që u vjen në ndihmë personave në nevojë. Na trego pak më shumë për punën e organizatës. Çfarë të motivon për të vepruar dhe për të qenë një zë i fortë për kauzat sociale?
Jam shumë krenare që jam bashkëthemeluesja e OJQ-së “The Ideas Partnership”, bashkë me burrin dhe shokun tonë, Ardian Arifaj. OJQ-ja tani funksionon në 4 komuna, Fushë Kosovë, Obilic, Gracanicë dhe Lipjan. Punon me fëmijët, kryesisht të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, përmes çerdheve që ofrohen falas, aktiviteteve ekstrakurrikulare për nxënësit e shkollës, ndihmë me regjistrimet në shkollë, aktivitete për të zhvilluar lidershipin tek të rinjtë, qasje në tregun e punës për të rritur, duke përfshirë kurse të shkrim-leximit për gratë, por edhe aktivitete shëndetësore, sidomos për shtatëzani të shëndetshme dhe aktivitete kundër martesave të hershme.
Besoj që qasja e OJQ-së është inovative në Kosovë për shumë arsye. Varemi shumë nga vullnetarët dhe mendoj që vullnetarizmi është diçka shumë e nevojshme në Ballkan, edhe për të shtyrë përpara iniciativa sociale, por edhe për zhvillim profesional dhe për mundësitë që i ofron vullnetarëve për të mësuar aftësitë e reja.
Gjithashtu jam krenare për mënyrën se si financohet organizata, me fonde nga projekte të fituar nga donatorë, por gjithashtu me një të tretën e fondeve që dalin çdo muaj nga individë që japin prej xhepit si përkrahje ndaj punës sonë. Janë në rritje shumat që jepen nga individë në Kosovë dhe mendoj që kjo kulturë e bamirësisë është diçka e shëndetshme jo vetëm për “The Ideas Partnership” dhe familjet e përkrahura, por edhe për Kosovën në përgjithësi.
Por më së shumti jam krenare për qasjen e qëndrueshme të organizatës. Jo vetëm që ofron ndihmë emergjente, siç është qepje e veshmbathjeve ose ndihmë me barna, por organizata ndihmon njerëz në nevojë për të ndihmuar veteveten. Kjo nënkupton aktivitete arsimore dhe trajnime për të rinjtë që të jenë advokues për të drejtat e tyre. Por jo vetëm që ndihmojmë njerëz në nevojë, ose ndihmojmë njerëz me nevojë që të ndihmojnë vetveten, por ndihmojmë njerëz me nevoja që të ndihmojnë të tjerët në nevojë. Kjo vërehet me të rinjtë që kanë marrë pjesë në programet e organizatës sonë dhe tani kanë krijuar OJQ-të e tyre ose janë asembleistë, ose përfitues të bursave nga “The Ideas Partnership” dhe tashmë jane diplomuar si mësuese, infermiere ose punonjëse sociale. Dhe me këto iniciativa, puna mund të ketë një ndikim transformativ, në jetën e familjeve të komuniteteve më të margjinalizuara.
9- Në vitin 2017, për punën me organizatën jeni vlerësuar nga ish-Kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, Theresa May, me çmimin “Pika e Dritës”. Si je ndjerë në ato momente?
Patjeter një moment krenarie! Por gjithashtu e kam marr si motivim meritimin e një vlerësimi të tillë, për të punuar më shumë dhe mos t’i lëj të shteren gjërat e arritura deri më tani. Gjithashtu isha e vetëdijshme që nuk është vetëm një person që meriton një çmim të tillë, sepse është një punë ekipore, me stafin e “The Ideas Partnership”, me donatorë, vullnetarë dhe të gjithë që na kanë motivuar dhe përkrahur ndër vite.
10- Keni marrë shtetësinë kosovare në vitin 2018 dhe tri vite më vonë, jeni emëruar nga Kryeministri Albin Kurti, si këshilltare politike për çështjet e komuniteteve. Cilat janë projektet për të cilat keni punuar këto dy vitet e fundit?
Me emërimin si Këshilltare e Kryeministrit, më është dashur të jap dorëheqjen nga pozita në bordin e “The Ideas Partnership”, për të mos patur konflikt interesi, por jam në përpjeke të vazhdoj me të njëjtat prioritete, ndër të tjera. Duke qenë se, unë vetë nuk i përkas një komuniteti, mendoj që roli im duhet të jetë për të siguruar që zërat e komuniteteve të dëgjohen sa më shumë nga Kryeministri dhe vendimmarrësit e tjerë në qeveri. Këtë e kemi arritur me tryeza të rrumbullakta të rregullta për Kryeministrin me komunitete të ndryshme, gati çdo muaj, me proces të dialogut për qeverinë me qytetarët serbë dhe me struktura të reja për të dëgjuar nga zyrtarët komunalë që merren me komunitetet e pakicave. Gjithashtu, kam qenë e përkushtuar për të dalë në terren sa më shumë, patjetër një herë në javë, por zakonisht dy ditë në javë, për të vizituar biznese multietnike, projekte të suksesshme për të drejtat e komuniteteve, media të komuniteteve, për t’i promovuar tek donatorët dhe të tjerët.
Gjithashtu kam kuptuar që shpesh informacionet për iniciativa të qeverisë, që janë pikërisht për nevojat e komuniteteve, siç janë bursa, grante, subvencione, praktika me pagesë, oferta për punë dhe trajnime, nuk mbërrijnë tek anëtarët e komuniteteve. Për këtë kemi krijuar një buletin dyjavor, që dërgohet në gjuhët shqipe, serbe, turke dhe rome tek rreth 750 individë, aktivistë dhe organizata.
Jam gjithashtu anëtare e ekipit ndërinstitucional për promovimin e punësimit të romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve dhe kemi arritur që numri i romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve të trajnuar në qendrat për aftësimin profesional të trefishohet vitin e kaluar, si dhe kemi bashkëpunuar me policinë dhe agjencitë e qeverisë për të rritur numrin e të punësuarve.
Gjithashtu jam kryesuese e një komisioni që e mendoj të jetë jetik për integrimin e serbëve në Kosovë, i cili mundëson punësim në institucione të Republikës së Kosovës, përmes verifikimit të diplomave të fituara në universitet, në Mitrovicën e Veriut.
Kam vazhduar me interesin tim në promovimin e turizmit në Kosovë me një projekt që bashkon guida prej komuniteteve të ndryshme në Kosovë, shqiptar, serb, goran, ashkali, boshnjak, kroat, për zhvillimin e praktikave të mira.
11- Si një person që keni lexuar dhe studiuar mbi historinë shqiptare dhe Ballkanit Perëndimor, si e vlerësoni situatën aktuale mes Kosovës dhe Serbisë? A mund të ketë dialog efektiv mes dy shteteve?
Puna ime në shoqërinë civile, si shkrimtare, por edhe tani si Këshilltare e Kryeministrit Kurti, merret më shumë me njerëzit sesa me shtete, kështu që nuk komentoj dot për sa është efektiv dialogu mes dy shteteve, por mund të flas për dialogun mes njerëzve serbë dhe shqiptarë, për të cilin jam optimiste. Kam patur shumë raste, sidomos gjatë dy viteve të fundit, të marr pjesë në aktivitete ku janë serbë të Republikës së Serbisë, apo të Republikës së Kosovës, bashkë me shqiptarët ose komunitetet e ndryshme të Kosovës. Dhe kam parë që individët, si prindër, si fëmijë, si sportistë, si ndërmarrësit, si biznesmenët, si artistët, si studentët, gjithmonë gjejnë gjërat që i bashkojnë më shumë se çfarë i ndajnë. Ka qenë privilegji im të krijojë mundësi të tilla dhe kur evente në skenën politike e veshtirësojnë realizimin e takimeve të tilla, pasi është pikërisht momenti kur kemi më shumë nevojë për to.
12- Cilat janë projektet tuaja të ardhshme?
Bashkë me burrin kemi një podcast, “A Coffee In The Accursed Mountains”, ku ndajmë histori të jetës dhe kulturës nga vendet e Ballkanit. Në veçanti, jemi duke u fokusuar për momentin në historitë e grave të jashtëzakonshme nga historia, të cilat janë pjesë edhe e librit që ka dalë nga shtypi vjet, “No Man’s Lands: 8 extraordinary women in Balkan history”.
Patjetër që do të vazhdoj me shkrimet, edhe pse për momentin nuk kam shumë kohë për to, me punën e qeverisë. Por kam filluar punë në librin e radhës që do të jetë për Prishtinën, dhe pikërisht “Bllokun e Parë”, ku kemi blerë banesën, një lagje me histori shumë interesante dhe shumë pak të njohur. Do të vazhdoj me kontributin për Kosovën brenda mundësive te mia, kudo që po shoh që ka nevojë.