Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin Granit Pepnika, i cili u arrestua pak ditë më parë në Dhërmi, i akuzuar “Mashtrim kompjuterik”.
“Arrest në burg” është caktuar edhe për shtetasin Xhoni Hitaj, i akuzuar gjithashtu për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”, si dhe për Redion Rexhmati, i cili akuzohet për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Sipas hetimeve të deritanishme, Pepnika dyshohet se ishte një nga organizatorët e rrjetit të call center-ave që mashtronte qytetarë të vendeve të Bashkimit Europian, duke i bindur të investonin në platforma të rreme bursash.
Dëmi ekonomik i shkaktuar nga kjo skemë vlerësohet të jetë mbi 50 milionë euro.
Nga hetimet rezulton se Pepnika zotëronte 50 për qind të aksioneve të shoqërisë “Gama Media Communication”, e themeluar në korrik të vitit 2021 së bashku me Jurgen Melën.