U vra nga makineria e kompanisë, vdekja e 26 vjeçares shqiptare në Itali po hetohet si vrasje

Mbrëmjen e së martës më 14 nëntor një ngjarje e rëndë ndodhi në Pieve di Soligo, Itali.

 Nëndrejtoresha e kompanisë së prodhimit të ushqimeve të ngrira “Bocon”, një 26 vjeçare shqiptare e quajtur Anila Grishaj u dëmtua rëndë nga një makineri duke humbur jetën menjëherë.

Familja akuzon policinë dhe kompaninë që nuk i kishin lajmëruar për ngjarjen por e mësuan nga rrjetet sociale.Përveç kësaj ngjarja po hetohet si vrasje nga pakujdesia.

Dyshohet se ajo që shkaktoi tragjedinë në provincën e Trevisos ishte një gabim njerëzor, pasi një nga kolegët e të resë shqiptare që ka kaluar në gjendje shoku, po hetohet nga policia.

Anila punonte në kompaninë e njohur të ushqimeve të ngrira nga Pieve di Soligo që nga viti 2018. Ajo ishte një menaxhere linje deri të martën pasdite në orën 16:00, kur koka e saj ngeci në një makinë paketimi mallrash, që i shtypi rruazat e qafës dhe i shkaktoi vdekjen e menjëhershme.

Sipas burimeve hetimore dhe konstatimeve të policisë, vajza ishte e angazhuar në disa kontrolle rreth një makinerie të re që e kishte çaktivizuar kur një koleg, duke e parë, e ka aktivizuar pa dashje, pa e kuptuar praninë e 26-vjeçares aty.

Kolegu i saj tani është nën hetim për vrasje nga pakujdesia ndërsa makineria është sekuestruar.

Sa i përket Anilës, ajo jetonte në Vergoman, një fshat i Mianës, së bashku me prindërit e saj Agostinin dhe Marjanën, motrën dhe vëllain e vogël. Familja, e cila priste 26-vjeçaren për darkë, e mësoi lajmin e aksidentit nga lajmet, duke nxituar menjëherë jashtë kompanisë.

Të mërkurën në mëngjes një mesazh ngushëllimi për vdekjen u publikua në faqen e Bocon në Facebook.

“Jemi thellësisht të pikëlluar nga humbja shumë e rëndë që na ka goditur. Ishim shumë pranë Anilës, e cila prej disa kohësh ishte pranë nesh dhe vlerësohej shumë për cilësitë njerëzore dhe profesionale. Ne e dimë se dhimbja jonë nuk është asgjë në krahasim me atë që vuajnë prindërit e saj dhe të afërmit e saj. Jemi në dispozicionin tuaj të plotë për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit”.