U rikthye në detyrë, a do i shkarkojë Belinda Balluku bashkëpunëtorët e aferave 210 milionë euro?

Gjykata Kushtetuese vendosi të rikthejë përkohësisht në detyrë zv.kryeministren Belinda Balluku, deri në shqyrtimin e plotë të çështjes në 22 Janar të vitit të ardhshëm.

Tashmë Balluku do të mund të vijojë punët e lëna përgjysmë, siç deklaronte kryeministri Rama, ku do të finalizohet marrëveshja me Kanadanë për fluturimet ajrore dhe shumë marrëveshje të tjera që nuk mund të bëheshin pa firmën e saj.

Një tjetër çështje e lënë pezull është edhe zëvendësimi i drejtorëve që janë marrë të pandehur nga SPAK dhe janë në “arrest shtëpie”, Erald Elezi i KESH dhe Gentian Gjyli i ARRSH.

Kryeministri Rama në podcastin e tij u shpreh se pezullimi i Ballukut kishte lënë pa drejtorë edhe KESH dhe ARRSH, pasi vetëm ministrja mund të firmoste shkarkimin dhe zëvendësimin e tyre.

Ja për shembull, janë vendosur në arrest shtëpie drejtori i ARRSH dhe drejtori i KESH-it. Nuk ka asnjë rëndësi se si i mendoj unë arsyet e këtyre ndalimeve, se kjo po, kjo është punë e prokurorit dhe gjykatësit, për sa kohë, siç kanë konstatuar me shqetësim më shumë sesa një herë autoritetet e Këshillit të Europës, paraburgimet e arrestet e shtëpisë, pa gjyq, janë bërë “bukë e djathë” në Shqipëri. Por fakti është se ata nuk hetohen në gjendje të lirë, dhe kështu cila është pasoja? Pasoja është se lihen pa kokë edhe dy institucione të tjera kyçe për vendin, të cilat mbulojnë infrastrukturën kombëtare të rrugëve dhe infrastrukturën kombëtare të energjisë.

Mirëpo, pse kjo pasojë tani është e lidhur drejtëpërdrejtë me pezullimin dhe pse kjo pasojë tani bëhet e pariparueshme, për sa kohë pezullimi, jo vetëm antidemokratik, por edhe alogjik i një anëtari të kabinetit, e bën të pamundur zëvendësimin e tyre, pasi ligji nuk ia jep askujt tjetër, përveç autoritetit ekskluziv të ministrit edhe të drejten e këtyre emërtesave. Kaq e thjeshtë është pse ministri nuk mund të pezullohet si të ishte një funksionar publik i çfarëdolloj niveli tjetër”, deklaronte Rama.

Por, a do t’i shkarkojë Belinda Balluku dy bashkëpunëtorët e saj në aferat 210 milionë euro të tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Madhe?

Në fakt, kjo është puna e parë që Balluku duhet të bëjë sapo të shkojë në zyrë të hënën.

Ndonëse nuk dihet ende nëse ministrja do të firmosë shkarkimin e tyre, do të marrë shembullin e Ramës dhe do të kërkojë hetimin në liri të dy vartësve të saj, duke i lënë në detyrë, pavarësisht se të tre së bashku janë të pandehur për korrupsion.