U pyet për inceneratorët? Baton Haxhiu del nga SPAK: Nuk më thirrën, erdha për të intervistuar njërin prej hetuesve

Pas 2 orë e gjysmë, gazetari Baton Haxhiu ka dalë nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Ai u pyet nga gazetarët për arsyen se përse ishte thirrur nga SPAK, por Haxhiu tha se nuk kishte fletë thirrje për të. “Jo nuk kisha fletëthirrje. Nuk ka lidhje me fletëthirrjen kjo”, tha Haxhiu.

Ndërkohë pyetjes nëse shkoi në SPAK për çështjen e inceneratorëve, Haxhiu iu përgjigj se nuk mund të fliste.

 “Aq mundem me thënë, s’kam të drejtë. E lexoni”- u shpreh shkurtimisht ai.

Sakaq ai bëri edhe batuta me gazetarët që e prisnin jashtë duke thënë se kishte shkuar në SPAK për të intervistuar një prej hetuesve për një lëndë.

Nuk dihet ende arsyeja se përse ai është thirrur nga prokurorët, teksa kohët e fundit ka pasur edhe një përplasje në distancë me kryebashkiakun Erion Veliaj në lidhje me aferën e inceneratorëve.