Erjon Vishkulli, 28-vjeçari, i cili u godit me plumb gome në sy nga një efektiv policie në protestën e 24 tetorit në Tiranë, ka dhënë deklarimet e tij këtë të mërkurë në Prokurorinë e Tiranës.
I shoqëruar nga avokati i tij Dorian Matlija, Vishkulli është marrë në pyetje për më shumë se 2 orë.
Pas daljes nga Prokuroria, Vishkulli u shpreh se kërkon drejtësi dhe jo mëshirë. I pyetur nëse do të marrë pjesë në protestën e 28 Nëntorit, i riu tha se ende nuk e ka vendosur, por do të shoh se si do të jetë gjendja e tij, duke theksuar se vijon ende kontrollet në Shqipëri.
“Unë kërkoj drejtësi. Mesazhi është se Shqipëria është e jona. Do të shikoj si do të jem me gjendjen shëndetësore, nëse do të marr pjesë në protestë apo jo. Unë po vijoj ende me kontrollet mjekësore edhe këtu në Shqipëri”, deklaroi Vishkulli.