“U liruan ish-zyrtarët?” Ulsi Manja: nuk kam mashtruar askënd! Të dënuarit për korrupsion ishin nëpunës në shërbim publik…

Ka nisur në Kuvend interpelanca e kërkuar nga disa deputetë demokratë me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manjën, në lidhje me Amnistinë Penale.

Që prej miratimit të Amnistisë, ka pasur akuza të shumta se janë liruar edhe ish-zyrtarët e dënuar nga Gjykata e Posaçme për korrupsion apo vepra të tjera penale. Por, sipas ministrit Manja, të dënuarit për korrupsion që kanë përfituar nuk ishin zyrtarë, por nëpunës në shërbim publik.

Ai tha se nuk ka mashtruar askënd, por ka shprehur vetëm mendimin e qeverisë për të mos amnistuar ish-zyrtarët, ndërsa shtoi se Amnistia ishte e domosdoshme për shkak të mbipopullimit të burgjeve dhe rritjes së kostove financiare.

“Nuk kam mashtruar askënd, por kam shprehur mendimin e qeverisë për të mos amnistuar asnjë zyrtarë të lartë të dënuar për korrupsion. Ata që kanë përfituar nga amnistia me ulje dënimi dhe që janë dënuar nga GJKKO për vepra penale korruptive, janë shtetas të zakonshëm ose nëpunës në shërbim publik që do t’i pasqyroj me emra. Janë vetëm 8 dhe asnjë prej tyre nuk është simbol i korrupsionit.

Nëse doni mendimin tim si Ulsi Manja, po, kjo Amnisti në raport me nevojat dhe garantimin e standarteve evropiane, kjo amnisti është e butë, duhej të ishte më e gjerë. Sot që flasim, janë 4918 të paraburgosur dhe të dënuar. Kjo amnisti ishte e domosdoshme për shkak të mbipopullimit, pandemisë, rritjes së kostot financiare dhe mungesa e burimeve njerëzore”, tha Manja.