Ish-kryetari i bashkisë së Lushnjes Fatos Tushe është paraqitur sot në SPAK. Ai ka hyrë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme i shoqëruar nga avokati i tij. I liruar pak kohë më parë nga burgu, burime për Media Ditarin thonë se Tushe po pyetet për një tjetër hetim të nisur, atë për fshehje pasurie. Mësohet se ish kryebashkiakut i janë gjetur prona të fshehura.
Kujtojmë se korrik të vitit 2022 Tushe u dënua me 2.4 vite burg. Ai u shpall fajtor për shpërdorim detyre në dy raste, ndërsa për akuzën e favorizimit në tendera u shpall i pafajshëm. Por Gjykata e Apelit e riktheu në burg në mars të 2023, duke pranuar kërkesën e SPAK dhe duke e dënuar përfundimisht me 3.4 vite burg. Përveç dënimit penal, gjykata vendosi që ish kryebashkiaku të mos ushtrojë asnjë funksion pubik për 5 vitet e ardhshme.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, nga përgjimet dhe të dhënat e dala nga komunikimet në Whatsaap mes Tushes, nënkryetarit dhe zyrtarëve e personave të tjerë rezultonin biseda që lidheshin me orientimin për tenderat, lejimin e një qytetari të ndërtonte pa leje, si dhe abuzime me karburantin e bashkisë. Pas vuajtjes së dënimit duket se ish kryebashkiaku mund të përballet me një tjetër proces gjyqësor.