U la në listë të hapur / Reagon Jorida Tabaku: Betejat nuk më trembin, në PD asgjë nuk më është falur

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar pasi u la në listën e hapur në qarkun e Tiranës. Në procesin e primareve, Tabaku rezultoi më e votuar mes grave duke marrë 651 vota, por ky rezultat nuk u mor parasysh nga hartuesit e listave në selinë blu.

Ajo thekson se me mbështjen e demokratëve arriti të fitojë primaret, ndërsa shton se tani është koha për të nisur një sfidë të re, betejën për listën e hapur.

Deputetja Tabaku thekson se në Partinë Demokratike asgjë nuk i është falur, por gjithçka e ka arritur me punë e përkushtim.

Reagimi i Jorida Tabakut;

Faleminderit demokratëve të Tiranës për besimin! Fitova primaret me mbështetjen tuaj dhe isha ndër më të votuarit, por sot nis një sfidë të re—betejën për Tiranën në listën e hapur!

Në Partinë Demokratike asgjë nuk më është falur. Çdo betejë e kam fituar me punë dhe përkushtim, dhe ashtu do të ndodhë edhe tani! Do të jem në Parlamentin e ri për të përfaqësuar jo vetëm demokratët që më votuan, por edhe ata që ende nuk e shohin veten të përfaqësuar. Për një ekonomi më të mirë, për shtresën e mesme, për familjet shqiptare, për integrimin Europian dhe për luftën ndaj korrupsionit!

Betejat nuk më trembin! Nuk më trembi komisioni hetimor, as pronarët e inceneratorëve që sot janë në arrati apo në qeli. Nuk më trembi as beteja për profesionet e lira dhe të drejtat e qytetarëve. Ndaj nuk do të më trembë as kjo sfidë!

Për mua nuk ka pasur dhe nuk do të ketë privilegj më të madh sesa të jem zëri i demokratëve dhe të vazhdoj t’ju përfaqësoj me dinjitet dhe vendosmëri!