Ish-zyrtarit të Policisë, Uljan Shpatarakut, i cili u kap në makinë me biznesmenin Ergys Agasi i është hequr leja e armës. Gjithashtu i është marrë edhe arsenali që mbante në banesë.
Uljan Shpataraku, u përjashtua nga Policia e Shtetit disa javë më parë, ndërsa ndaj tij nisën procedurat edhe për heqjen e lejes së armës që zotëronte për shkak të funksionit.
Gjatë procedurave u zbulua se ish-zyrtari i lartë policor, i njohur si krahu i djathtë i ish-kryepolicit Ilir Proda, mbante gjithashtu me leje një arsenal armësh private në banesë. Bëhet fjalë për 3 pistoleta, 2 shotgun dhe 2 pushkë, të cilat i janë sekuestruar.
Shpataraku përfundoi në pranga më 26 gusht, gjatë operacionit për arrestimin e biznesmenit Ergys Agasi, i cili ishte shpallur në kërkim nga SPAK. Në momentin e ndalimit, ai drejtonte automjetin ku ndodhej edhe Agasi, në aksin Elbasan-Durrës.
Për ish-zyrtarin e Policisë është ngritur akuza për “përkrahje të autorit të krimit”.