Pas skandalit ku u helmuan 56 studentë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar mensën e Akademisë së Sigurisë.
Burime për mediat bëjnë me dije se analizat kanë treguar se mensa është jashtë kushteve normale higjienike dhe për këtë arsye, AKU i ka vendosur shiritin.
Akademia e Sigurisë e merr ushqimin me katering te kompania “Sori Al” dhe më pas studentët ushqehen në mensën e akademisë, mensë e cila pas analizave ka rezultuar jashtë çdo standardi higjenik.
56 studentë të Akademisë së SIgurisë përfunduan në spital disa ditë më parë pasi dyshohet se u helmuan nga vakti i drekës i shërbyer në ambientet e institucionit nga kompania private e kontraktuar, Sori-Al.
Bëhet me dije, se dreka nga ku dyshohet se janë helmuar përbëhej nga: sallatë perime të ziera, gjellë patate / tavë me presh, makarona / pilaf, mish, biskota, banane dhe bukë.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bllokoi rreth 155 kilogramë ushqime te Akademia e Sigurisë, të furnizuara nga kompania private e kontraktuar, Sori-Al. Gjithashtu, njoftoi se ka gjobitur 100 mijë lekë kompaninë Sori-Al.