Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Tiranë, ku ukrainaset Antonina Kozachenko dhe Anastasia Lopukhova u gjetën të vdekura.
Hetuesit kanë dyshime të forta se ukrainaset dy të rejat ishin pjesë e një grupi që funksiononin si eskorta në Tiranë dhe Mal të Zi. Referuar dëshmisë së dytë të shoqes së tyre, Yeva Vorona, tre vajzat ofronin shërbime seksuale kundrejt pagesës, jo në Shqipëri por në Mal të Zi.
Sipas saj në Tiranë kishin ardhur për pushime. Por grupi hetimor ka dyshime se ky aktivitet ushtrohej dhe në Tiranë, kjo pasi Yeva Vorona kishte katër muaj që ndodhej në kryeqytet.
Referuar sistemit TIMS rezulton se ajo ka udhëtuar disa herë drejt Malit të Zi. Telefonat e dy vajzave janë dërguar në laboratorin e Policisë Shkencore për të zbërthyer komunikimet e fundit.
Ekspertiza paraprake doli në konkluzionin se shkaku i vdekjes ishte mbidozë e ilaçeve me përmbajtje narkotike, po ashtu, dy viktimat vuanin nga sëmundje të zemrës dhe epilepsisë.