U gjet i vrarë në Spanjë, Miklovan Dakaj u takua për herë të fundit me ‘ushtarin’ e Visit të Pojës

Një ditë më parë autoritetet spanjolle njoftuan se në brigjet e Marbellës u gjet trupi i pajetë i Miklovan Dakajt, i cili rezultonte i zhdukur që prej muajit maj të këtij viti.

Ishin gruaja e tij, e cila bëri denoncim në Spanjë pasi humbi kontaktet me 30 vjeçarin ndërsa familjarët e tij në Shqipëri iu drejtuan policisë së Shkodrës.

Burime për mediat bëjnë me dije se autoritetet spanjolle kanë marrë ADN-në e vëllait dhe vajzës së Miklovan Dakajt për të vërtetuar shkencërisht nëse personi i gjetur i vrarë në brigjet e Marbellës është familjar i tyre apo jo, përgjigje e cila akoma nuk ka dalë.

Ndërkohë mësohet se personi i fundit që Dakaj kishte takim para se të zhdukej ishte Juxhin Drazhi, pjesë e grupit të Elvis Doçit, i njohur si Visi i Pojës. Drazhi, i arrestuar më 8 gusht në Spanjë pritet qe të merret në pyetje, edhe pse deri tani nuk ka prova që e lidhin me zhdukjen e 30 vjeçarit.

Mësohet se pas zhdukjes së Dakajt një person ka shkuar tek familja dhe ka thënë që “Miklovani është vrarë, mos e kërkoni”.

Më herët, mediat kanë raportuar se Dakaj dyshohet të ketë qenë i përfshirë në trafikun e kokainës dhe në rrjete ndërkombëtare kriminale.