Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e bërë nga ish drejtuesi i lartë i policisë, Erzen Braçani dhe ish shefi i krimeve në komisariatin nr. 6 në Tiranë, Dedan Gjoni. Ata u arrestuan pas zbërthimit të apliacionit SKY ECC që çoi në goditjen e një grupi kriminal.
Breçani dhe Gjoni kërkuan ndryshimin e masës së sigurisë, por rekursi i tyre u rrëzua.
Po ashtu, në njoftimin e Gjykatës së Lartë thuhet se rekursi nuk i është pranuar as Bujar Ajetit (Gremizi) dhe as Besmir Muratit.
“Mospranimin e rekursit të paraqitur nga personat nën hetim Bujar Ajeti (Gremizi), Erzeni Breçani, Dedan Gjoni dhe Besmir Murtati, kundër vendimit nr. 87-2024-4 (01), datë 04.01.2024, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në vendimin e Gjykates se Lartë.
Rikujtojmë se Breçani dhe të pandehurit e tjerë ranë në pranga nga zbërthimi i aplikacionit SKY ECC në nëntor të vitit të kaluar që çoi në goditjen e një grupi kriminal që rezultonte të ishte i përfshirë në trafiqe të drogës nga Amerika Latine në Europë, si dhe në ngjarje kriminale të ndodhura në Shqipëri, pjesë e së cilës dyshohen se janë zyrtarë të policisë dhe ish zyrtarë.