Detaje të reja kanë dalë në lidhje me arrestimin e Safet Bajrit, i cili u prangos ditën e sotme, pasi efektivët nuk e gjetën gjatë kontrollit në banesën e tij dy ditë më parë.
Ai u arrestua sot në shtëpinë e tij, teksa burime për mediat bëjnë me dije se ai s’ka bërë rezistencë, por i është bindur urdhrit të efektivëve, të cilët e kanë sjellë në Policinë e Tiranës.
Gazetarja Klodiana Lala bën me dije se Safet Bajri akuzohet për vrasjen e Fatbardh Licit në vitin 2018, ndërsa të dyshuar për këtë ngjarje janë edhe Asmer Bilali dhe Behar Bajri, të cilët ndodhen në qeli.
“Mësohet nga burime zyrtare se janë firmosur dy urdhër arreste të tjera Behar Bajrin, kushëririn e parë të Safet Bajrit, ndaj të cilit rëndon po ashtu akuza për vrasjes në dëm të Fatbardh Licit kryer në 2018 dhe grupit të strukturuar kriminal.
Kjo masë sigurie pritet ti komunikohet në qelitë e paraburgimi ku mbahet i arrestuar dhe po gjykohet nga GJKKO për akuza të rënda në kuadër të operacionit “Metamorfoza”. Ndërkohë që urdhri i dytë i arrestit ka të bëjë me Asmer Bilali, i konsideruar si krahu i grupit kriminal Bajri. Ai ndodhet aktualisht në burgun e Reçit dhe pritet ti komunikohet akuza e radhës për vrasjen e Fatbardh Licit në 2018 në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Grupi i Bajrit është nën hetim edhe për masakrën e Dobraçit ku mbetën të vrarë Hamza Lici dhe Arlind Bushati, si edhe vdiqën dy qytetarë të pafajshëm çifti i bashkëshortëve, Flutura e Bashkim Basha”, raportoi gazetarja Klodiana Lala.