U arrestua në Luksemburg, Edison Pula rezulton i padënuar në Shqipëri, Gjykata e Lartë prishi vendimin e Apelit

Edison Pula, anëtari i bandës së Niklës, rezulton të jetë i padënuar në Shqipëri. Ai u arrestua dy ditë më parë në Luksemburg, teksa pritej që shteti shqiptar të kërkonte ekstradimin e tij, por vendimi i Gjykatës së Lartë ka ndryshuar gjithçka.

Gjykata e Apelit e kishte dënuar 30 vjeçarin me 14 vite burgim për vrasje e shpërthim me eksploziv, por Gjykata e Lartë e riktheu çështjen për gjykim, duke bërë që Pula të rezultojë i padënuar në vendin tonë.

“Prishjen e vendimit nr. 2212, datë 22.10.2018, të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm me tjetër trup gjykues”, thuhet në vendimin e Gjykatë së Lartë.

Mbi 30 vjeçarin rëndojnë akuzat: “Vrasja me paramendim”, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Vjedhja me dhunë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Vjedhja” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”.

Edison Pula njihet si mjeshtër i arratisjeve, pasi u arratis mëngjesin e 9 qershorit të vitit 2022 u arratis në Treviso të Italisë, në momentin që pritej të dilte para Gjykatës për 50 vjedhje. Gjithashtu ai akuzohet edhe për lidhje me atentatin ndaj Gentjan Bejtjas, pasi u zbulua nga numri i telefonit që u përdor për të aktivizuar eksplozivin.