U aksidentua dhe iku nga vendi i ngjarjes, shoferi rezulton punonjës i FRONTEX, procedohet penalisht

Policia ka dhënë detaje për aksidentin që ndodhi në aksin Sarandë-Kardhiq mëngjesin e sotëm, ku makina me targa rumune u përmbys në anë të rrugës.

Pas kësaj shoferi braktisi makinën pa pritur mbërritjen e forcave të policisë.

Sipas njoftimit zyrtar 35 vjeçari është punonjës i shërbimeve të FRONTEX, ndërsa ndaj tij ka nisur procedimi penal për veprat: “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Qarkullimit Rrugor të Komisariatit të Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjëndje të lirë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”, për shtetasin 35 vjeç, banues në Rumani (punonjës i shërbimeve të FRONTEX, jashtë shërbimit), pasi gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, në aksin rrugor Gajdar-Shijan, ky shtetas ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë, automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Gjithashtu, 35-vjeçari nuk ka pritur shërbimet e qarkullimit rrugor, për kryerjen e veprimeve procedurale, por është larguar nga vendi i aksidentit.