Brenda këtij muaji pritet aplikimi i tarifave në Tunelin e Llogarasë, duke i dhënë fund periudhës së kalimit pa pagesë.
Mësohet se punimet për vendosjen e sistemit të pagesës në Tunelin e Llogarasë kanë hyrë në fazën përfundimtare, ndërsa gjatë ditës së sotme janë zhvilluar testet e fundit për funksionimin e plotë të pajisjeve.
Çmimet do të jenë të diferencuara sipas kategorive të mjeteve, duke filluar nga 100 lekë për motomjetet, 250 lekë për makinat, 500 lekë për mjete me karroceri, 1000 lekë për furgonë dhe autobusë, si dhe deri në 5000 lekë për mjetet e rënda me rimorkio.
Vendosja e tarifës pritet të shoqërohet me reagime nga qytetarët dhe udhëtarët, të cilët deri më tani e kanë përdorur tunelin pa pagesë.
Kujtojmë se në lidhje me Tunelin e Llogarasë është marrë e pandehur ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku, e akuzuar për “shkelje e barazisë në tendera” bashkë me ish-vartësit e saj, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.
Ndërkohë, SPAK ka nisur edhe një hetim pasuror ndaj ish-zv.kryeministres. SPAK ka adresuar disa shkresa në bankat e nivelit të dytë në Shqipëri për të kërkuar informacione mbi pasurinë e Ballukut, ndërkohë që kanë kërkuar të dhëna edhe në ILDKPI dhe disa institucione të tjera. Gjithashtu një hetim ka nisur edhe për kompanitë që kanë bashkëpunuar me ish-ministren.