Trupi i djegur brenda makinës në Llogara, pista kryesore që dyshon policia

Të tjera detaje kanë dalë nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Llogara në Vlorë, ku një person u gjet i vdekur brenda një makine që ishte përfshirë nga flakët.

Pista kryesore ku po hetohet është ajo e vetëvrasjes, pasi në vendin e ngjarjes nuk janë gjetur as armë dhe as gëzhoja, që mund të vërtetonin kryerjen e një vrasje.

Dyshohet se personi që humbi jetën ka qenë ish-efektiv policie. Ai ka kryer aktin e vetëvrasjes në kushtet e depresionit.

Dyshimet janë se viktima ka spërkatur mjetin me benzinë dhe është futur brenda tij teksa është shkrumbuar nga flakët. Ndërkohë grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë.

Vlorë/Informacion paraprak. Rreth orës 14:35, pas një njoftimi të marrë në sallën operative të DVP Vlorë, shërbimet e Policisë janë nisur drejt vendit të quajtur “Qafa e Llogarasë”, ku kanë konstatuar një automjet duke u djegur. Brenda automjetit dyshohet se si pasojë e zjarrit, ka humbur jetën dhe është djegur një shtetas ende i paidentifikuar, në sediljen e drejtuesit të mjetit.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për identifikimin e viktimës dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje”- njoftoi policia me herët.