Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, udhëzoi të dielën Pentagonin të “reduktojë ndjeshëm” stërvitjet e përbashkëta ushtarake me aleatin afatgjatë të SHBA-së në Azi, Korenë e Jugut, duke përmendur koston e këtyre stërvitjeve dhe refuzimin e Seulit për t’iu bashkuar veprimeve kundër Iranit.
Vetëm disa orë para nisjes së stërvitjeve, Trump shkroi në rrjetin e tij Truth Social se ishte “i pakënaqur” që SHBA-ja kishte rënë dakord të merrte pjesë. Ai theksoi gjithashtu “marrëdhënien e tij shumë të mirë” me Kim Jong Un, liderin e Koresë së Veriut, një vend me armë bërthamore dhe nën sanksione të rënda ndërkombëtare.
“Jo vetëm që këto stërvitje janë të kushtueshme…, por ato dërgojnë një sinjal krejtësisht të papërshtatshëm dhe armiqësor ndaj një vendi që, për sa kohë Donald J. Trump ka qenë president, ka qenë jo kërcënues dhe respektues”, shkroi Trump.
Stërvitjet e përvitshme të përbashkëta ushtarake Ulchi Freedom Shield janë planifikuar të zhvillohen deri më 27 gusht, me pjesëmarrjen e rreth 18,000 ushtarakëve të Koresë së Jugut.
Shefat e Shtabit të Përbashkët të Koresë së Jugut i thanë Reuters se stërvitjet nisën të hënën sipas planifikimit.
Zyra presidenciale e Koresë së Jugut, e njohur si Blue House, deklaroi se po shqyrtonte postimin e Trump dhe se “shpreson që marrëdhënia miqësore mes liderëve të SHBA-së dhe Koresë së Veriut të çojë në një dialog kuptimplotë mes dy vendeve, duke hapur diskutime që synojnë avancimin e paqes dhe stabilitetit në Gadishullin Korean”.
Aleatët do të vazhdojnë të koordinojnë qëndrimin e tyre të përbashkët në fushën e mbrojtjes dhe stërvitjet ushtarake, shtoi ajo.
Duke iu përgjigjur pretendimit të Trump se presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, kishte refuzuar të merrte pjesë në përpjekjet e SHBA-së për denuklearizimin e Iranit, Seuli tha se po diskutonte mundësinë e kontributit ushtarak, ndërkohë që po merrte parasysh gatishmërinë e tij mbrojtëse në Gadishullin Korean dhe procedurat ligjore të brendshme.
Një zëdhënës i Pentagonit iu referoi pyetjet mbi këtë çështje Shtëpisë së Bardhë, e cila nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për detaje.
Marrëdhënia me ulje-ngritje
Trump ka kërkuar prej kohësh t’i japë fund ose të kufizojë stërvitjet ushtarake me Korenë e Jugut, ndërsa është përplasur me Seulin edhe për ndarjen e kostove të dislokimit të rreth 28,500 trupave amerikane në Korenë e Jugut dhe rolin e tyre në garantimin e sigurisë së rajonit.
Koreja e Veriut, e cila teknikisht është ende në luftë me Korenë e Jugut, i dënon rregullisht stërvitjet SHBA–Kore e Jugut si përgatitje për një pushtim.
Pheniani lëshoi javën e kaluar një raketë balistike nga bregu i tij lindor në drejtim të Detit të Japonisë, disa ditë pas një tjetër lëshimi të ngjashëm të një rakete balistike me rreze të shkurtër.
“Ky vendim mund të jetë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të krijuar një mundësi diplomatike me Phenianin, diçka që Trump e ka kërkuar vazhdimisht që prej rikthimit në detyrë. Megjithatë, natyra e çrregullt e këtij veprimi nuk ka gjasa të lërë ndonjë përshtypje të madhe në Phenian”, tha në një email Jenny Town, drejtuesja e programit 38 North në institutin Stimson Center.
Marrëdhënia mes Trump dhe Kim ka qenë prej vitesh një “roller coaster”, me ulje dhe ngritje të forta.
Trump dikur e tallte liderin e Koresë së Veriut duke e quajtur “little rocket man” (“njeriu i vogël i raketave”) dhe kërcënonte Phenianin me “zjarr dhe tërbim”, ndërsa Kim mburrej se do ta “zbutte me zjarr” presidentin amerikan, të cilin e kishte quajtur të çmendur mendërisht.
Megjithatë, të dy zhvilluan edhe tre samite, ndërsa Trump deklaroi pas shkëmbimit të letrave me Kimin: “u dashuruam”. Asnjëra prej këtyre përpjekjeve nuk solli ndryshime në programin bërthamor apo zhvillimin e raketave balistike të Koresë së Veriut.
Edhe pse të dielën Trump foli me tone të ngrohta për Korenë e Veriut, ai iu referua qëndrimit të Koresë së Jugut ndaj konfliktit SHBA–Izrael me Iranin.
“Edhe pse kjo është disi pa lidhje (?), së fundmi e pyeta presidentin e Koresë së Jugut nëse do të donin të bashkoheshin me ne në denuklearizimin e Republikës Islamike të Iranit, dhe ata thanë: ‘Jo, faleminderit!’”, shkroi Trump.
Stërvitjet zhvendosen drejt simulimeve
Nuk është ende e qartë se si do të reduktohen stërvitjet, por vitet e fundit ato janë zhvendosur nga stërvitjet me municion real drejt simulimeve kompjuterike të sulmeve me raketa dhe sulmeve kibernetike.
Victor Cha, drejtuesi i programit për Korenë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) në Uashington, tha se Trump mund të jetë duke kërkuar ndikim më të madh mbi Korenë e Veriut, në një kohë kur Pheniani është përfshirë fuqishëm në mbështetjen e Rusisë në luftën në Ukrainë.
“Një mënyrë tjetër për ta parë këtë është se Trump dëshiron të angazhojë Kimin si një mënyrë për të penguar forcimin e marrëdhënieve Rusi–Kore e Veriut”, tha Cha.
Zyrtarët ushtarakë amerikanë kanë deklaruar se trupat e Koresë së Veriut, të cilat kanë luftuar krah Rusisë në pushtimin e Ukrainës, kanë fituar përvojë nga konflikti. Ukraina tha javën e kaluar se raketa të prodhuara nga Koreja e Veriut u përdorën në një sulm balistik rus ndaj një uzine çeliku në Zaporizhzhia.
Një zyrtar i lartë i Komandës Veriore të SHBA-së, gjenerallejtënant Joseph Jarrard, paralajmëroi javën e kaluar se Koreja e Veriut kishte testuar me sukses raketa balistike ndërkontinentale me “fuqi të mjaftueshme për të transportuar një ngarkesë bërthamore në çdo pikë të Amerikës së Veriut”.
Faktorët ekonomikë
Trump ka kërkuar vazhdimisht që Koreja e Jugut të marrë përsipër një pjesë më të madhe të kostove të mbrojtjes. Megjithatë, një zyrtar amerikan deklaroi këtë vit se Seuli është një “aleat model”, i angazhuar për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në përputhje me strategjinë rajonale të SHBA-së.
Mes dy vendeve ekzistojnë edhe tensione më të gjera ekonomike.
Një ish-zyrtar amerikan, i cili shërbeu gjatë administratës së parë Trump, i tha Reuters se besonte se Trump ishte “i frustruar nga qëndrimi i pandryshueshëm” i administratës së Koresë së Jugut për çështjet ekonomike.
“Qeveria Lee ka ndjekur vazhdimisht politika antagoniste ndaj kompanive amerikane dhe ka treguar pak interes për të zbatuar marrëveshjen historike të investimeve me Shtetet e Bashkuara”, tha ish-zyrtari.
Vitin e kaluar, dy vendet nënshkruan një marrëveshje tregtare për uljen e tarifave të Trump ndaj automjeteve, në këmbim të angazhimit të Seulit për të investuar 350 miliardë dollarë. Koreja e Jugut ende nuk ka bërë publike detajet e planit të saj të investimeve.
Aleatët janë gjithashtu në konflikt për një mosmarrëveshje që përfshin kompaninë amerikane të tregtisë elektronike Coupang, e listuar në bursën amerikane, e cila po hetohet nga Seuli për një rrjedhje masive të të dhënave.