Gjatë javës së kaluar, CEO i Metës, Mark Zuckerberg, publikoi një letër të hapur prej 6,500 fjalësh, me titullin “E ardhmja është për të gjithë”.
Për disa, ajo është një shprehje shprese për potencialin e inteligjencës artificiale. Për të tjerë, nuk është gjë tjetër veçse një ushtrim i stërzgjatur marrëdhëniesh me publikun.
Manifesti i Zuckerbergut është shembulli më i fundit i një drejtuesi të teknologjisë që shpjegon pse inteligjenca artificiale është gjëja e madhe e radhës.
Vizioni i tij i bën jehonë asaj që liderët e industrisë së AI kanë shprehur në forma të ndryshme: produkti që po ndërtojnë është ndër “teknologjitë më të rëndësishme në histori”.
Marc Andreessen, bashkëthemeluesi i Netscape, një prej pionierëve të hershëm të internetit, ndoshta e nisi këtë prirje në vitin 2023 me një ese prej 5,000 fjalësh, të titulluar “Manifesti i tekniko-optimistit”, në të cilën argumentonte se inovacioni ishte mënyra për të zgjidhur problemet e jetës.
“Pra, tani po shkruajnë edhe manifeste?”, kujtoj se mendova me vete.
Eseja e Andreessenit niste me atë që ai i cilësonte si gënjeshtra që njerëzit po përhapnin dhe u bënte thirrje lexuesve të kundërshtonin këto ide.
“Ne besojmë se rritja është përparim – ajo çon në vitalitet, zgjerimin e jetës, rritjen e njohurive dhe mirëqenie më të lartë”, shkruante ai.
Eseja e fundit e Zuckerbergut nuk përmend emra, por kreu i Metës ndjek të njëjtën linjë si Andreessen, duke vënë në pikëpyetje ata që kanë paralajmëruar për pasojat negative të teknologjive të së ardhmes.
“Është befasuese që diskursi i shumë prej atyre që po zhvillojnë AI është kaq i mbushur me pesimizëm”, shkruan ai.
Ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) paralajmëron se AI mund të ndikojë në gati 40% të vendeve të punës dhe të përkeqësojë pabarazinë financiare globale, Zuckerberg thotë se beson se në të ardhmen do të ketë një bollëk vendesh pune.
“Nuk e kuptoj përse dikush që beson se AI do të eliminojë shumicën e vendeve të punës dhe pjesën më të madhe të rëndësisë së njerëzimit do të nxitonte të ndërtonte pikërisht atë të ardhme.”
Kjo, pavarësisht faktit se Meta e Zuckerbergut ka shkurtuar 10% të fuqisë së saj punëtore globale – rreth 8,000 vende pune – ndërsa kompania riorganizohet për t’u përqendruar te inteligjenca artificiale.
Manifesti i Zuckerbergut është i fundit në një seri tekstesh të tilla që shfaqen në rrjetet sociale, në përpjekje për t’i dhënë një këndvështrim pozitiv zhvillimit të AI.
Në vitin 2024, drejtuesi i OpenAI, kompania që krijoi ChatGPT, Sam Altman, publikoi një manifest të titulluar “Epoka e Inteligjencës”, një shprehje gjithëpërfshirëse optimizmi për potencialin e kësaj teknologjie.
Sipas tij, përparimi njerëzor ishte në prag të përshpejtohej në mënyrë dramatike.
“Duhet të veprojmë me mençuri, por edhe me bindje”, deklaroi ai.
Po atë vit, në një manifest të titulluar “Makineritë e hirit të dashur”, CEO i Anthropic, Dario Amodei, vlerësoi potencialin e AI për të transformuar gjithçka, nga kujdesi shëndetësor te politika.
Ai e paraqiti tekstin si një përpjekje për të ndarë me publikun përfitimet e mundshme të inteligjencës artificiale dhe nuk donte të perceptohej si një pesimist që parashikon vetëm skenarë katastrofikë.
Dario Amodei, drejtuesi i Anthropic, ka paraqitur gjithashtu vizionin e tij për të ardhmen e AI në një manifest.
Zuckerbergu nuk është i panjohur me formatin e eseve të gjata. Gjatë administratës së parë të presidentit amerikan Donald Trump, ai shkroi edhe për tema të ndërlikuara, si përhapja e dezinformimit në platformat e tij.
Më vonë, në vitin 2021, ai shkroi një tjetër tekst të gjatë për të shpjeguar kthesën e kompanisë drejt metaversit, një projekt që përfundimisht nuk pati suksesin e shpresuar.
Por në epokën e inteligjencës artificiale, rreziku është më i madh, argumenton blogeri i ekonomisë Noah Smith, dhe komentet e drejtuesve të teknologjisë pasqyrojnë pikërisht këtë.
“Mendoj se të gjithë e ndiejnë se ky është një moment kaq i rëndësishëm, saqë u takon të bëjnë gjithçka që munden për të ndikuar në drejtimin që do të marrë kjo teknologji”, tha Smith.
Manifesti i ri i Zuckerbergut shpalli planet për t’i bërë mjetet e tij të inteligjencës artificiale më të hapura, çka do të thotë se dizajni ose kodi pas kësaj teknologjie do të bëhet publik, duke i lejuar kujtdo ta shohë, ta përdorë dhe ta modifikojë.
Vendimet për atë se cilat mjete duhet të jenë me burim të hapur kanë një peshë të konsiderueshme, duke pasur parasysh potencialin e tyre për të shkaktuar dëme.
Në javët e fundit, disa modele shumë të fuqishme të AI kanë hakuar faqe interneti, ose, siç e kanë përshkruar disa, kanë “dalë jashtë kontrollit”.
Këto ishin modelet më të fuqishme, jo ato që po bëhen me burim të hapur. Por zhvillimi i teknologjisë ka ngritur një pyetje serioze për Smithin:
“A duhet të bëjmë me burim të hapur diçka që ka aftësinë të zhdukë njerëzimin?”, pyeti ai.
“Nëse nuk e merrni seriozisht këtë, atëherë thjesht jeni një budalla.”
Pikërisht për këtë arsye ai mendon se këto manifeste janë të rëndësishme, edhe nëse disa njerëz në internet tallen me to.
Ato po tërheqin edhe më shumë vëmendje në një kohë kur tregu i modeleve me burim të hapur dominohet nga modelet kineze të AI, si Qwen, DeepSeek dhe GLM.
Familja e modeleve Gemma të Google është bërë një konkurrent i rëndësishëm me burim të hapur në tregun perëndimor, së bashku me Llama të Metës dhe mjetet e kompanisë Mistral AI.
Por shpeshtësia e këtyre manifesteve të korporatave shërben gjithashtu si një mënyrë për drejtuesit që të pozicionojnë veten dhe kompanitë e tyre në tregun e ideve.
“Është një mënyrë për të treguar se sa i zgjuar je”, thotë Rob Lalka, profesor i biznesit në Universitetin Tulane.
Drejtuesit e kompanive kanë përdorur prej kohësh blogjet korporative “për të shpalosur ide në një mënyrë që i paraqet ata, në njëfarë kuptimi, si biznesmenë-filozofë”.
“Ata po përpiqen të argumentojnë se optimizmi është një mënyrë për ta parë të ardhmen”, tha ai.
Lalka vëren se koha kur u publikua manifesti i Zuckerbergut përkon me rritjen e zemërimit ndaj ndikimit të AI në gjithçka, nga vendet e punës te mjedisi.
Dhe ndërsa gazetarët e teknologjisë dhe akademikët mund t’i analizojnë me imtësi këto tekste, duke u përpjekur të nxjerrin prej tyre ndonjë ide me rëndësi, manifestet e drejtuesve të kompanive nuk po marrin domosdoshmërisht të njëjtën vëmendje nga publiku i gjerë.
“Ata po përpiqen të argumentojnë se anët pozitive do t’i tejkalojnë ndjeshëm disa prej pasojave negative që po vë në dukje reagimi publik”, tha ai.
“Por mendoj se shumë prej arsyeve për të qenë optimistë ende nuk janë parë.”