Trump ul tarifat për kafenë, mishin e viçit dhe frutat

Presidenti Donald Trump nënshkroi të premten një urdhër ekzekutiv që ul tarifat për mishin e viçit, domatet, kafenë, bananet dhe disa produkte të tjera bujqësore.

Urdhri përjashton këto mallra nga tarifat “reciproke”, të cilat variojnë nga 10% deri në 50%. Megjithatë, produktet nuk përjashtohen plotësisht nga taksat doganore.

Për shembull, domatet me origjinë nga Meksika, një nga furnizuesit më të mëdhenj të SHBA-së, do të vazhdojnë të taksohen me 17%, tarifë e cila hyri në fuqi në korrik pas skadimit të një marrëveshjeje tregtare gati 30-vjeçare. Çmimet e domateve u rritën pothuajse menjëherë pas vendosjes së kësaj tarife.

Shumë prej produkteve që tani nuk do t’i nënshtrohen tarifave “reciproke” kanë regjistruar rritje të forta çmimesh që nga marrja e detyrës nga Trump, pjesërisht për shkak të tarifave të vendosura nga administrata e tij dhe mungesës së furnizimit të mjaftueshëm vendas.

Për shembull, Brazili, furnizuesi kryesor i kafesë në SHBA, është përballur me tarifa prej 50% që nga muaji gusht. Konsumatorët amerikanë kanë paguar afro 20% më shumë për kafenë në shtator, krahasuar me një vit më parë, sipas të dhënave të CPI-së (Indeksi i Çmimeve të Konsumit).

Lëvizja e fundit vjen pasi votuesit shprehën pakënaqësinë e tyre për gjendjen e ekonomisë në sondazhet e daljes nga votimi në zgjedhjet e këtij muaji, duke mbështetur demokratët në disa shtete gjatë zgjedhjeve jashtë ciklit.

Gjatë paraqitjes së urdhrit ekzekutiv, sekretari i Thesarit, Scott Bessent, u shpreh se masat synojnë produkte “që nuk rriten në Shtetet e Bashkuara”, duke iu referuar kafesë dhe bananeve. (Edhe pse kafe kultivohet në disa zona të SHBA-së, pjesa dërrmuese është e importuar.)

Ndërkohë, më herët të premten, administrata Trump dhe qeveria zvicerane njoftuan një kornizë të re tregtare që parashikon uljen e tarifave për mallrat nga Zvicra në 15% nga 39%, një ndër normat më të larta në tregtinë e SHBA-së me vendet partnere.