Trump sulmon NATO-n: Pa SHBA, është një tigër prej letre

Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar ashpër NATO-n, duke thënë se pa Amerikën aleanca është një “tigër prej letre.”

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump u ankua për aleatët e NATO-s që nuk iu përgjigjën thirrjes së tij për të siguruar sigurinë në Gjirin e Hormuzit.

“Tani që kjo luftë është fituar ushtarakisht, me shumë pak rrezik për ta, ata ankohen për çmimet e larta të naftës që janë të detyruar t’i paguajnë, por nuk duan të ndihmojnë në hapjen e Gjirit të Hormuzit, një manovër e thjeshtë ushtarake që është arsyeja kryesore për çmimet e larta të naftës. Shumë e lehtë për ta bërë, me kaq pak rrezik. FRIKACAKË!” shkroi ai.

Të hënën, Trump paralajmëroi se NATO përballet me një “të ardhme shumë të keqe” nëse aleatët nuk do t’i përgjigjeshin thirrjes së tij për të krijuar një forcë policore detare ndërkombëtare.

Gjiri i Hormuzit është një rrugë kyçe për naftën dhe gazin global nga Gjiri, duke transportuar rreth një të pestën e naftës bruto botërore.

Gjermania, Britania, Franca, Italia, Holanda, Japonia dhe Kanadaja u zotuan në një deklaratë të përbashkët të enjten të bashkohen me “përpjekjet e duhura për të siguruar kalim të sigurt përmes ngushticës”. Por kancelari gjerman Friedrich Merz e bëri të qartë se kjo supozonte fundin e luftimeve.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha pas një samiti të Bashkimit Evropian në Bruksel se mbrojtja e së drejtës ndërkombëtare dhe promovimi i de-përshkallëzimit ishte “më e mira që mund të bëjmë”, duke shtuar: “Nuk kam dëgjuar askënd këtu të shprehë gatishmërinë për të hyrë në këtë konflikt – përkundrazi”.