Trump shqyrton sulm të ri ndaj Iranit, bisedimet bërthamore në ngërç

Presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e një sulmi të ri ushtarak ndaj Iranit, pasi bisedimet paraprake mes Uashingtonit dhe Teheranit për kufizimin e programit bërthamor dhe raketor iranian nuk kanë shënuar asnjë përparim.

Kërcënimet e fundit të Trump janë pritur me reagime të ashpra nga Irani. Zyrtarë të lartë iranianë paralajmëruan se çdo veprim ushtarak amerikan do të marrë një përgjigje të menjëhershme, ndërsa një këshilltar i afërt i udhëheqësit suprem Ali Khamenei kërcënoi se Izraeli do të ishte objektiv në rast sulmi.

Trump shkroi në Truth Social se Irani duhet të ulet në tryezën e negociatave për “një marrëveshje të drejtë – PA ARMË BËRTHAMORE”, duke paralajmëruar se çdo sulm i ardhshëm amerikan do të ishte “shumë më i ashpër” se ai i verës së kaluar, kur SHBA goditi tre objekte bërthamore iraniane.

Sipas burimeve, Trump po shqyrton disa opsione, përfshirë sulme ajrore ndaj udhëheqësve iranianë, objekteve bërthamore dhe institucioneve shtetërore, por ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar. Pozicioni amerikan është forcuar edhe nga prania ushtarake në rajon, pasi grupi luftarak i aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln është afruar drejt Iranit.

Ndërkohë, SHBA ka vendosur sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore në Lindjen e Mesme dhe po planifikon dislokimin e sistemeve THAAD, si dhe stërvitje të gjera ajrore në rajon.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi deklaroi se forcat e armatosura të Iranit janë gati të reagojnë “menjëherë dhe fuqishëm” ndaj çdo agresioni, ndërsa këshilltari i Khameneit, Ali Shamkhani, e cilësoi çdo sulm si fillim lufte, duke paralajmëruar një reagim “të paprecedentë”.