Presidenti Donald Trump ka shkarkuar Pam Bondi nga posti i Prokurores së Përgjithshme, sipas burimeve për CNN. Përkohësisht, ajo do të zëvendësohet nga zëvendësi i saj, Todd Blanche.
Trump kishte diskutuar ditët e fundit mundësinë e shkarkimit dhe i kishte bërë të qartë Bondi-t në një bisedë “të vështirë” se ajo do të zëvendësohej së shpejti. Megjithatë, asaj i është premtuar një rol tjetër në të ardhmen, madje është përmendur edhe mundësia e emërimit si gjyqtare.
Pakënaqësia e Trump lidhet kryesisht me mënyrën si Bondi ka trajtuar dosjet e Jeffrey Epstein dhe me mungesën e ndjekjeve penale ndaj kundërshtarëve politikë. Një çështje që ka tërhequr vëmendjen e tij është hetimi ndaj ish-drejtorit të CIA-s, John Brennan, për deklarata të mundshme të rreme.
Edhe pse Departamenti i Drejtësisë ka ngritur disa akuza ndaj figurave të njohura, ato janë rrëzuar në gjykatë. Ndërkohë, Trump po shqyrton zëvendësimin e Bondi-t me administratorin e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, Lee Zeldin.
Brenda rrethit të tij ka pasur kritika për mënyrën si Bondi ka trajtuar çështjen Epstein, sidomos pas deklaratave kontradiktore për një listë klientësh që më pas rezultoi se nuk ekzistonte.
Së fundmi, Bondi është përballur edhe me kërkesa për të dëshmuar në Kongres. Ndërkohë, ajo ka shtuar praninë pranë Trump, ndryshe nga disa zyrtarë të tjerë që janë distancuar kur ai ka shfaqur pakënaqësi.