Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara duhet ta “zotërojnë” Groenlandën për të parandaluar që Rusia dhe Kina të fitojnë ndikim në këtë territor strategjik.
“Vendet duhet të kenë pronësi dhe të mbrojnë pronësinë. Nuk mbron dot qiratë. Dhe ne do të duhet ta mbrojmë Groenlandën,” tha Trump për gazetarët të premten, duke iu përgjigjur një pyetjeje të BBC. Ai shtoi se kjo mund të bëhet “në mënyrën e lehtë ose në mënyrën e vështirë”.
Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur së fundmi se administrata po shqyrton mundësinë e blerjes së territorit gjysmë-autonom, që i përket Danimarkës, vend anëtar i NATO-s, por nuk ka përjashtuar as opsionin e aneksimit me forcë.
Danimarka dhe Groenlanda kanë deklaruar prerazi se territori nuk është në shitje. Kopenhaga ka paralajmëruar se çdo veprim ushtarak do të shënonte fundin e aleancës transatlantike të mbrojtjes.
Në një deklaratë të përbashkët të premten në mbrëmje, liderët e partive politike të Groenlandës, përfshirë opozitën, kërkuan që të marrë fund “mosrespektimi i SHBA ndaj vendit tonë”.
“Ne nuk duam të jemi amerikanë, nuk duam të jemi danezë, duam të jemi groenlandezë,” thuhet në deklaratë. “E ardhmja e Groenlandës duhet të vendoset nga populli i Groenlandës.”
Megjithëse është territori më pak i populluar në botë, pozicioni i Groenlandës mes Amerikës së Veriut dhe Arktikut e bën atë strategjik për sistemet e paralajmërimit të hershëm ndaj sulmeve raketore dhe për monitorimin e lëvizjes së anijeve në rajon.
Trump ka deklaruar vazhdimisht se Groenlanda është jetike për sigurinë kombëtare të SHBA-së, duke pretenduar pa prova se ajo është “e mbushur kudo me anije ruse dhe kineze”.
SHBA tashmë ka më shumë se 100 trupa ushtarake të stacionuara në mënyrë të përhershme në bazën Pituffik, në veriperëndim të Groenlandës, një strukturë që operohet nga SHBA që prej Luftës së Dytë Botërore. Sipas marrëveshjeve ekzistuese me Danimarkën, SHBA ka të drejtë të dërgojë aq trupa sa të dëshirojë në territor.
Megjithatë, Trump theksoi se një marrëveshje qiraje nuk është e mjaftueshme. “Vendet nuk mund të bëjnë marrëveshje 9-vjeçare apo edhe 100-vjeçare. Duhet të kenë pronësi,” u shpreh ai.
“I dua njerëzit e Kinës. I dua njerëzit e Rusisë,” tha Trump. “Por nuk i dua si fqinjë në Groenlandë. Kjo nuk do të ndodhë.” Ai shtoi se edhe NATO duhet ta kuptojë këtë qëndrim.
Aleatët e Danimarkës në NATO, përfshirë vendet kryesore evropiane dhe Kanadanë, kanë dalë në mbështetje të saj, duke theksuar se “vetëm Danimarka dhe Groenlanda mund të vendosin për çështjet që lidhen me marrëdhëniet e tyre”. Ata kanë theksuar se siguria në Arktik duhet të garantohet “kolektivisht” nga aleatët dhe në përputhje me parimet e Kartës së OKB-së, përfshirë sovranitetin dhe integritetin territorial.
Shqetësimet për të ardhmen e Groenlandës janë rindezur pas përdorimit të forcës ushtarake nga Trump në Venezuelë, ku të shtunën u kap presidenti Nicolás Maduro.
Trump kishte shprehur interes për blerjen e Groenlandës edhe në vitin 2019, gjatë mandatit të tij të parë, por ishte refuzuar.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pritet të zhvillojë bisedime me autoritetet daneze javën e ardhshme.
Vitet e fundit ka pasur interes në rritje për burimet natyrore të Groenlandës, përfshirë mineralet e rralla, uraniumin dhe hekurin, të cilat po bëhen më të aksesueshme për shkak të shkrirjes së akullit nga ndryshimet klimatike. Shkencëtarët besojnë se territori mund të ketë edhe rezerva të konsiderueshme nafte dhe gazi.