Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi në një fjalim televiziv të mërkurën në mbrëmje se ushtria amerikane ka arritur pothuajse objektivat e saj në Iran, por nuk dha një afat të qartë për përfundimin e luftës që ka hyrë në javën e pestë.
Përballë një publiku amerikan gjithnjë e më të lodhur nga lufta, rënies së mbështetjes dhe presionit nga aleatët për më shumë qartësi, Trump tha se SHBA ka shkatërruar flotën detare dhe forcat ajrore të Iranit, si dhe ka goditur rëndë programet e tij balistike dhe bërthamore.
Megjithatë, ai nuk paraqiti një plan konkret për përmbylljen e konfliktit, duke u shprehur vetëm se SHBA do ta përfundojë shumë shpejt operacionin.
“Ne i kemi të gjitha letrat në dorë. Ata nuk kanë asnjë,” deklaroi Trump nga Shtëpia e Bardhë.
Presidenti shmangu çështje kyçe të pazgjidhura, si statusi i uraniumit të pasuruar të Iranit dhe bllokimi i Ngushticës së Hormuzit, një arterie jetike për furnizimin global me naftë, e cila aktualisht është efektivisht e mbyllur nga Irani. Ai tha se ngushtica do të rihapet “natyrshëm” pas përfundimit të luftës.
Fjalimi 19-minutësh nuk solli zhvillime të reja dhe nuk arriti të qetësojë qytetarët amerikanë dhe aleatët, të cilët po përballen me rritje të çmimeve të karburanteve dhe pasiguri për zgjatjen e konfliktit.
Pas deklaratave të Trump, tregjet reaguan negativisht: aksionet ranë, dollari u forcua dhe çmimet e naftës u rritën, duke reflektuar pritshmëritë se lufta mund të zgjasë.
Trump paralajmëroi se SHBA do të vijojë goditjet intensive ndaj Iranit për dy deri në tre javët e ardhshme. Nëse udhëheqësit e rinj të vendit nuk negociojnë sipas kërkesave amerikane, ai tha se do të sulmohen infrastruktura energjetike dhe ajo e naftës.
“Do t’i godasim jashtëzakonisht fort në dy deri në tre javët e ardhshme. Do t’i kthejmë në Epokën e Gurit,” u shpreh ai.
Ndërkohë, sirenat e alarmit u dëgjuan në Doha dhe Tel Aviv gjatë fjalimit, duke treguar se Irani ende ka kapacitet për të shkaktuar destabilizim në rajon.
Trump shtoi se negociatat janë në vijim, por paralajmëroi se në mungesë të një marrëveshjeje, SHBA ka në shënjestër objektiva të rëndësishëm.
Sipas një sondazhi Reuters/Ipsos, 60% e votuesve amerikanë janë kundër luftës, ndërsa 66% kërkojnë që SHBA të tërhiqet sa më shpejt, edhe nëse nuk arrihen objektivat e shpallura.
Presidenti pranoi shqetësimet për rritjen e çmimeve të karburantit, por theksoi se ato do të bien së shpejti dhe fajësoi Iranin për situatën.
Ai gjithashtu kërkoi që vendet që varen nga nafta e Gjirit të marrin rol kryesor në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, ndërsa aleatët europianë kanë shprehur gatishmëri për të ndihmuar vetëm pas përfundimit të luftimeve.
Ndërkohë, administrata amerikane po shqyrton opsione të reja, përfshirë operacione për kapjen e rezervave të uraniumit të pasuruar dhe kontrollin e zonave strategjike në territorin iranian.
Mijëra trupa shtesë po dërgohen drejt rajonit të Gjirit, një sinjal se SHBA synon të mbajë të hapura të gjitha opsionet ushtarake.