Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi të hënën se do të bllokojë hapjen e një ure të re që lidh Shtetet e Bashkuara me Kanadanë, duke përshkallëzuar më tej përplasjet me fqinjin verior për çështje ekonomike, në një kohë kur marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Otavës janë gjithnjë e më të tensionuara.
Trump deklaroi se nuk do të lejojë hapjen e Urës Ndërkombëtare “Gordie Howe”, një urë rreth 2.4 kilometra e gjatë që lidh Detroitin me qytetin Windsor në provincën Ontario. Deklarata u bë përmes një postimi në rrjetin social Truth Social. Ndërtimi kryesor i urës ka përfunduar dhe pritet të hapet gjatë këtij viti, pas një periudhe testimi.
“Nuk do ta lejoj hapjen e kësaj ure derisa Shtetet e Bashkuara të kompensohen plotësisht për gjithçka që u kemi dhënë, dhe derisa Kanadaja ta trajtojë SHBA-në me drejtësinë dhe respektin që meritojmë. Do të fillojmë negociatat menjëherë”, shkroi Trump.
Nuk është e qartë se si presidenti amerikan mund të bllokojë konkretisht hapjen e urës. CNN raporton se ka kërkuar reagime nga Shtëpia e Bardhë, kryeministri kanadez Mark Carney, guvernatorja e Michiganit Gretchen Whitmer dhe Autoriteti i Urës Windsor–Detroit, por pa përgjigje deri tani.
Trump po ashtu pretendoi, në mënyrë të pasaktë, se Kanadaja zotëron të dyja anët e urës dhe se ajo është ndërtuar pothuajse pa përmbajtje amerikane. Në fakt, ura me vlerë mbi 4 miliardë dollarë, e quajtur sipas legjendës kanadeze të hokejit Gordie Howe, financohet, ndërtohet dhe mirëmbahet nga qeveria kanadeze, por do të jetë në pronësi të përbashkët të Kanadasë dhe shtetit të Michiganit, sipas marrëveshjes së vitit 2012.
Marrëveshja përcakton gjithashtu se çdo hekur dhe çelik i përdorur në ndërtim duhet të prodhohet në SHBA ose Kanada dhe se asnjëra palë nuk duhet të favorizohet.
Kryebashkiaku i Windsor-it, Drew Dilkens, i tha CBC News se çeliku amerikan është përdorur në ndërtimin e pjesës së urës në territorin e Michiganit. “Është e çmendur. Nuk mund ta besoj atë që po lexoj”, u shpreh ai në reagim ndaj deklaratave të Trump.
Komentet e fundit të presidentit amerikan janë pjesë e një serie sulmesh ndaj Kanadasë, të cilat u intensifikuan pasi Carney mbajti një fjalim në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku u bëri thirrje vendeve me fuqi të mesme të bashkohen kundër superfuqive globale, përfshirë SHBA-në.
Në fund të janarit, Trump kërcënoi se do të heqë certifikimin për të gjitha avionët e prodhuar në Kanada dhe paralajmëroi tarifa deri në 50% për avionët kanadezë. Ai ka kërcënuar gjithashtu me tarifa 100% për të gjitha produktet kanadeze nëse Kanadaja lidh marrëveshje tregtare me Kinën.
Muajin e kaluar, Carney u takua në Pekin me presidentin kinez Xi Jinping, ku të dy vendet shpallën një “partneritet të ri strategjik”. Kanadaja ka lehtësuar tarifat për automjetet elektrike kineze dhe ka lejuar importin e deri në 49 mijë automjeteve të tilla në vit. Nga ana tjetër, Kina pritet të ulë barrierat tarifore për disa produkte bujqësore kanadeze.
Tensionet mes dy vendeve vijnë përpara rishikimit të planifikuar këtë vit të Marrëveshjes SHBA-Meksikë-Kanada (USMCA), e cila zëvendësoi NAFTA-n gjatë mandatit të parë të Trump.
Trump u ankua gjithashtu se Ontario nuk lejon në treg pijet alkoolike amerikane, një masë që provinca e mori vitin e kaluar në shenjë proteste ndaj tarifave amerikane mbi mallrat kanadeze.
Ndryshe nga qëndrimi aktual, gjatë mandatit të tij të parë Trump e kishte vlerësuar urën si një projekt me rëndësi strategjike. Në vitin 2017, ai dhe ish-kryeministri Justin Trudeau e quajtën atë “një lidhje jetike ekonomike mes dy vendeve”.
Senatorja demokrate nga Michigani, Elissa Slotkin, paralajmëroi se anulimi i projektit do të kishte pasoja serioze për ekonominë e shtetit. “Presidenti po ndëshkon qytetarët e Michiganit për një luftë tregtare që ai vetë e nisi. Kanadaja është mike, jo armike”, shkroi ajo në rrjetin X.