Gjatë samitit të NATO-s në Ankara, Donald Trump kritikoi Spanjën, duke kërcënuar se mund të ndërpresë marrëdhëniet tregtare me këtë vend.
Ai e cilësoi Spanjën si “një kauzë të kotë”, ndërsa kryeministri spanjoll Pedro Sanchez ka qenë një nga kundërshtarët më të zëshëm të politikave të tij në Evropë.
“Ne nuk duam të bëjmë më asnjë biznes tregtar me Spanjën”, tha Trump.
Reagimi i Trump vjen pasi Spanja kundërshtoi thirrjet për të rritur shpenzimet e mbrojtjes të aleancës në 5% të PBB-së, duke argumentuar se objektivat e sigurisë duhet të balancohen me stabilitetin ekonomik dhe shpenzimet sociale.
Qeveria e Spanjës ka reaguar pas deklaratave të Trump, duke theksuar se marrëdhëniet mes Spanjës dhe Shteteve të Bashkuara mbeten të forta në aspektin ekonomik, kulturor dhe shoqëror.
“Spanja mban marrëdhënie të shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara dhe nuk kemi ndërmend ta ndryshojmë këtë”, deklaruan burimet qeveritare.
Madridi ka theksuar se marrëdhënia tregtare mes dy vendeve është e favorshme edhe për SHBA-në, pasi sipas qeverisë spanjolle, Uashingtoni ka aktualisht suficit tregtar me Spanjën.
Një tjetër argument i paraqitur nga qeveria spanjolle është fakti se Spanja është pjesë e BE dhe se politikat tregtare përcaktohen në nivel të përbashkët europian, duke mos lejuar trajtim të veçantë për një shtet anëtar.
Qeveria e Sánchez ka nënvizuar gjithashtu se marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve drejtohen kryesisht nga kompanitë private dhe jo nga qeveritë.
Sipas Madridit, lidhjet mes Spanjës dhe SHBA-së mbeten të rëndësishme si në fushën e tregtisë, ashtu edhe në atë të mbrojtjes, pavarësisht tensioneve të fundit politike.