Presidenti amerikan Donald Trump tha se qeveria e SHBA-së do t’u dërgojë një pagesë të vetme prej 90 dollarësh më shumë se 20 milionë amerikanëve të regjistruar në Medicare, programi i sigurimit shëndetësor për të moshuarit, për t’i ndihmuar të përballojnë koston e primeve mujore të sigurimit shëndetësor.
Trump tha të premten vonë në rrjetet sociale se pagesat do të vijnë nga Fondi për Përmirësimin e Medicare (Medicare Improvement Fund), për të cilin ai tha se Kongresi ka akorduar 2 miliardë dollarë për përmirësimin e programit Medicare me pagesë për shërbimin.
Njoftimi është i fundit në një seri premtimesh financiare që lideri republikan u ka bërë votuesve në prag të zgjedhjeve afatmesme të nëntorit, në të cilat do të vendoset kontrolli i Kongresit.
Partia Republikane e Trumpit aktualisht ka një shumicë të ngushtë si në Senat, ashtu edhe në Dhomën e Përfaqësuesve. Megjithatë, niveli i miratimit për presidentin ka qenë i ulët për shkak të mënyrës se si ai po përballet me koston e lartë të jetesës për amerikanët, ndërsa lufta mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit ka shkaktuar rritje të çmimeve të naftës dhe gazit.
Shtëpia e Bardhë publikoi disa detaje të planit të Trumpit në faqen e saj, duke bërë të ditur se shumica e të moshuarve që plotësojnë kushtet do ta marrin pagesën prej 90 dollarësh përmes depozitimit të drejtpërdrejtë në llogarinë bankare në fillim të tetorit.
Ata që nuk kanë të regjistruar depozitim të drejtpërdrejtë do të marrin një çek, i cili gjithashtu do të dërgohet në fillim të tetorit në adresën postare të regjistruar pranë Medicare, tha Shtëpia e Bardhë.
Muajin e kaluar, Trump propozoi gjithashtu dërgimin e çeqeve prej 5.000 dollarësh për të gjithë qytetarët amerikanë në moshë madhore, nëse republikanët ruajnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit në zgjedhjet afatmesme. Megjithatë, analistë, ekonomistë dhe madje edhe disa republikanë në Kongres e pritën me skepticizëm këtë plan.
Administrata Trump po dërgon veçmas edhe pagesa prej 500 dollarësh për rreth 1 milion amerikanë, në një masë që, sipas strategëve, mund të ndikojë potencialisht në disa gara zgjedhore.
Shtëpia e Bardhë thotë se këto pagesa janë rimbursime për atë që e përshkruan si tarifa të tepërta të ngarkuara ndaj personave që kanë blerë sigurim shëndetësor përmes Aktit të Kujdesit të Përballueshëm (Affordable Care Act).